Konflikti i interesit/ Ish-Avokatja e Shtetit mbronte Shqipërinë, bashkëshorti avokat i kundërshtarëve

Konflikti i interesit/ Ish-Avokatja e Shtetit mbronte…

Nga Edmond Hoxhaj

Hetimi administrativ i KPK-së zbuloi se ish-Avokatja e Shtetit, Alma Hicka ka përfaqësuar vendin në procese gjyqësore ku palët kundërshtare kanë pasur si mbrojtës ligjor bashkëshortin e saj, Envi Hicka.

Në nëntor të vitit 2015, qeveria shqiptare u dënua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut të paguajë vlerën mbi 2 milionë euro për tri familje të shpronësuara nga regjimi komunist.

Në çështjen e njohur si Sharra dhe të tjerë kundër Shqipërisë, paditës ishte avokati Envi Hicka dhe studio ligjore Haxhia dhe Hajdari, ndërkohë në gjyq shteti shqiptar mbrohej nga avokatja e shtetit, Alma Hicka.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, i cili vendosi ta shkarkonte nga detyra si gjyqtare Alma Hickën, ky nuk është rasti i vetëm ku ajo është gjendur në konflikt interesi me bashkëshortin gjatë periudhës që drejtonte Avokaturën e Shtetit.

Në 60 çështje të komunikuara në janar të vitit 2014 kundër Shqipërisë në Strasburg, 15 prej tyre përfaqësoheshin nga studio ligjore Haxhia dhe Hajdari, me ortak bashkëshortin e saj.

E pyetur nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë procesit të rivlerësimit, Hicka ka mohur se gjyqet ku është përballur si palë paditëse me bashkëshortin dhe studion e tij ligjore përbënin konflikt interesi.

“Kurdoherë, në ushtrimin e çdo funksioni kam respektuar të gjitha detyrimet ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë,” ka deklaruar Hicka në përgjigje të një pyetësori të dërguar nga KPK gjatë hetimit administrativ.

Alma Hicka ka qenë gjyqtare nga viti 2003 dhe në vitin 2013 u emërua Avokate e Shtetit, detyrë që e mbajti deri në vitin 2018. Pas dorëheqjes nga posti i Avokates së Përgjithshme të Shtetit, Hicka u emërua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.

Trupi gjykues që rivlerësoi Alma Hickën ishte i kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Firdes Shulin.

Vendimi i arsyetuar për subjektin nuk u zbardh sipas parashikimeve ligjore, brenda 30 ditëve pas përfundimit të seancës dëgjimore. Ai bë publik me 15 korrik – 74 ditë pas afatit maksimal dhe vetëm pasi BIRN i kërkoi llogari KPK-së për vonesën.

Në një përgjigje me shkrim, KPK u shfajësua se vonesa kishte ardhur si rrjedhojë e ngarkesës së lartë të komisionerëve.

Amnistia për drejtuesit e CEZ

Përveç rasteve ku Alma Hicka ka përfaqësuar vendin në kushtet e konfliktit të interesit në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, KPK evidenton edhe një rast tjetër që rrjedh nga ushtrimi administrativ i funksionit të saj.

Sipas KPK-së, në rolin e saj si avokate e shtetit, Hicka është përgjegjëse për formulimin e nenit 9 të marrëveshjes midis Shqipërisë dhe kompanisë çeke të energjisë CEZ, për zgjidhjen e gjyqit të arbitrzhit pas shtetëzimit të kompanisë së shpërdarjes së energjisë elektrike OSHEE, në vitin 2013.

CEZ Grup bleu kompaninë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri më 2009 duke paguar 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve, ndërsa premtoi të investonte 200 milionë euro brenda katër viteve. Pavarësisht premtimeve për investime, kompania çeke e thelloi gropën e borxheve të sistem energjetik dhe në janar 2013 humbi licencën pas një konflikti me qeverinë shqiptare.

Në maj 2013, CEZ iu drejtua Gjykatës së Arbitrazhit UNCITRAL me një padi kundër Republikës së Shqipërisë, duke e akuzuar atë për heqje arbitrare të licencës. Qeveria e djathtë e drejtuar nga Sali Berisha u bë gjithashtu gati për arbitrazh, por me ardhjen në pushtet të kryeministit Edi Ramë në vitin 2013, qasja ndaj konfliktit me CEZ ndryshoi kurs, duke shkuar drejt një zgjidhjeje me marrëveshje.

Marrëveshja i kushtoi buxhetit të shtetit 95 milionë euro, ndërkohë që e djathta në opozitë e cilësoi atë “si aferën më të madhe korruptive në vend”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vëren se neni 9 i kësaj marrëveshje, i garantonte amnisti ndaj ndjekjes penale drejtuesve të CEZ në Shqipëri, dy prej të cilëve ishin në hetim në atë kohë në lidhje me skandalin e mbledhjes së borxhit të kompanisë, që njihet gjithashtu si çështja CEZ-DIA.

Sipas KPK-së Hicka ishte në konlikt interesi për shkak se bashkëshorti i saj më herët e kishte përfaqësuar kompaninë CEZ në një gjyq kundër Drejtorisë së Tatimeve.

“Qënia e personit të lidhur e subjektit rivlerësues, bashkëshortit z. E. H. si përfaqësues i shoqërisë “CEZ” sh. a., në çështje gjyqësore me palë ndërgjyqëse paditës Drejtorinë e Tatimeve Tiranë dhe i paditur CEZ sh.a., bën pjesë në rastet e konfliktit të interesit kundrejt subjektit rivlerësues”, konstaton KPK.

Hicka e ka kundërshtuar këtë konstatim të Komisionit duke pretenduar se nuk ka pasur rol vendimmarrës, por vetëm këshillues.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit