Konflikti Iran-Izrael, Kina i bën thirrje fuqive të mëdha të qetësojnë situatën

Konflikti Iran-Izrael, Kina i bën thirrje fuqive…

Gjatë një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, udhëheqësi kinez Xi Jinping u ka bërë thirrje “fuqive të mëdha” që të luajnë një rol aktiv në uljen e tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, në një mesazh që, megjithëse i paqartë, u interpretua gjerësisht si një thirrje indirekte ndaj Presidentit amerikan Donald Trump, në një kohë kur Uashingtoni po shqyrton një përfshirje më të drejtpërdrejtë në krizë.

Gjatë bisedës, të dy liderët dënuan veprimet ushtarake të Izraelit ndaj Iranit, ndërsa Putin përsëriti gatishmërinë e Rusisë për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje. Xi, pa përmendur në mënyrë eksplicite Shtetet e Bashkuara, theksoi se “bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht fuqitë e mëdha që kanë një ndikim të veçantë mbi palët në konflikt, duhet të bëjnë përpjekje për të nxitur qetësimin e situatës, jo të kundërtën.”

Ai shtoi gjithashtu një thirrje të qartë për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve mes Iranit dhe Izraelit, duke u bërë apel të dyja palëve të ndalin armiqësitë.

“Palët në konflikt, veçanërisht Izraeli, duhet të pushojnë zjarrin sa më shpejt të jetë e mundur për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të shmangur me vendosmëri përhapjen e luftës,” i tha Xi homologut rus, sipas njoftimit zyrtar të Pekinit.

Nga ana e tij, Kremlini bëri të ditur se Xi dhe Putin ndajnë të njëjtin qëndrim se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktin apo për programin bërthamor iranian  zgjidhjet, sipas tyre, duhet të jenë ekskluzivisht politike dhe diplomatike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit