Konkurrenca e gjobiti, Tomi i AKEP-it i anuloi masën, 'Vodafone-Albania' vijon abuzimet me konsumatorët

Konkurrenca e gjobiti, Tomi i AKEP-it i…

Shqipëria është bërë një shtet ku taksidari dhe haraç-mbledhësi më i madh është shteti, por jo në mënyrë ligjore, por si skemë mafioze.

Këtë shembull e tregon më së miri loja që bëjnë shumë kompani të mëdha private, të cilat për të lejuar abuzimet në kurriz të konsumatorit shqiptar, paguajnë nën-dorë zyrtarët e lartë deri tek kryeministri.

I tillë është edhe rasti që do të sjellim sot. Bëhet fjalë për kompaninë “Vodafone-Albania” e cila, falë pagesave nën-dorë dhe reklamave që u jep një pjese të mediave, ka gjetur “karta-bianka” për të abuzuar me qytetarët klientë.

Këto abuzime vijojnë lirshëm edhe sot që flasim, kjo e favorizuar edhe nga pozita oligopol që kompanitë celulare kanë vendosur në tregun e telefonisë, të mbështetura edhe nga AKEP.

Është pikërisht ky institucion dhe drejtori i tij i ri, që tashmë kanë gjetur “parajsën” e ryshfeteve dhe peshqesheve super- të shtrenjta që pronarët e kompanive celulare u paguajnë për të qenë të favorizuar.

Por vetëm një vit më parë, Autoriteti i Konkurrencës, mori guximin të nisë një hetim, të verifikojë e madje edhe të vendosë gjoba për kompaninë më abuzuese dhe me pozita dominuese në treg, “Vodafone-Albania”.

Referuar hetimit të bërë gjatë vitit 2019 nga Autoriteti i Konkurrencës, ky i fundit i konstatoi shumë parregullsi dhe spekulime me çmimet e ofertave dhe shërbimin, kompanisë “Vodafone”.

Madje AK-ja dhe edhe rekomandime për institucionet e linjës, ndër të cilët edhe AKEP. Por rekomandimet e AK-së, nuk u zbatuan në asnjë moment, dhe Autoriteti shkoi edhe më tej me kontrolle për abuzimin ndaj klientëve.

Por siç bën me frekuencat e antenave ku paguan ekspertët e rrezatimit me shuma të majme për të mbajtur gojën mbyllur, “Vodafone-Albania” po bën të njetën gjë edhe me AKEP-in.

“Mjeshtri” i ryshfetit dhe tenderave, drejtori i AKEP-it, Tomi Frashëri, njëkohësisht edhe “beniamini” i kryeministrit Rama, duket se e ka gjetur formulën e duhur me kompaninë e kuqe të celularëve.  

Autoriteti i Konkurrencës i kërkoi vitin e kaluar AKEP-it, të jetë më vigjilent mbi veprimtarinë e kompanisë së telefonisë celulare, “Vodafone-Albania”.

Sipas rekomandimit të AK-së, “AKEP duhet t’i vendosë në dispozicion dokumentacionin që zotëron lidhur me abuzimin e mundshëm me Pozitën Dominuese të ‘Vodafone-Albania’”.

Për institucionin që monitoron konkurrencën e ndershme në treg, informacioni nga AKEP-i, “do të mundësonte hapjen ose jo të procedurave hetimore të parashikuara në Ligjin ‘Për Mbrojtjen e Konkurrencës’”.

Por ky ishte një “mision i pamundur” pasi bashkëpunime të tilla me Topin e Rilindjes nuk mund të bëhen.

Madje ky i fundit, duket se e ka aq “grurë” muhabetin me “Vodafone-Albania” sa këtë e tregoi edhe me spotet dhe SMS-të që kompania celulare u dërgoi gjithë shqiptarëve me zënë e Edi Ramës në muajt e karantinës.

Kjo jo vetëm që shkeli privatësinë e klientëve të “Vodafone-Albania”, por edhe ndezi një zemëratë të madhe te qytetarët.

Nga ana tjetër, burime konfidenciale nga AKEP, i kanë thënë “Gazetaatdheu.com” se, “është pikërisht kompania ‘Vodafone-Albania’ ajo që paguan udhëtime dhe pushime luksoze të drejtorit Tomi Frashëri”.

Ky i fundit, si për të treguar mirënjohje ndaj këtij reciprociteti, të gjithë numrat e punonjësve të institucionit që drejton, i ka kthyer në ‘Vodafone’.

Por jo vetëm kaq. Tomi e favorizon kompaninë “Vodafone-Albania” edhe ndaj dy rivalëve të tjerë në sektorin e telefonisë.

“Vodafone-Albania” është e privilegjuar si në frekuenca, ashtu edhe në shtrirje, por gjithashtu e mbrojtur edhe nga abuzimet që shpesh u shkakton konsumatorëve.

Ndihma e AKEP

AKEP, me vendimin e saj nr. 78, dt. 01.10.2018, përcaktoi kompaninë “Vodafone Albania” si sipërmarrje me “Fuqi të Ndjeshme në Treg” (FNT). Në bazë të këtij përcaktimi, kompania “Vodafone” përfshihet në një regjim të caktuar ligjor, i cili e pengon atë që të abuzojë me pozitën e fuqishme në treg.

Në bazë të një analize tregu, të realizuar nga AKEP, kompania “Vodafone Albania” rezulton më e fuqishmja në tregun e telefonisë celulare, krahasuar me dy kompanitë e tjera.

Në këto kushte, AKEP-i ka detyrimin ligjor që të hartojë masat, sipas ligjit, për të penguar konkurrencën e pandershme.

Por, vetëm një muaj më pas, e konkretisht me vendimin nr. 89, dt. 15.11.2018, AKEP-i, vendosi të shfuqizojë vendimin e tij të mëparshëm, duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe “përcaktimin e sipërmarrësit Vodafone-Albania me Fuqi të Ndjeshme në Treg”.

Pikërisht, ky vendim shfuqizimi, nxiti Autoritetin e Konkurrencën që të marrë në shqyrtim rastin dhe të shprehë zyrtarisht kundërshtimin e tij.

Me vendimin Nr. 635, Datë 04.07.2019, Autoriteti i Konkurrencës kërkonte nga AKEP-i që: “Të realizojë analizën e tregut të pakicës të tregut të telefonisë celulare për të ndërmarrë masat e nevojshme rregullatore, për rregullimin e këtij tregu.

Për përcaktimin e ndërmarrjes “Vodafone Albania” SH.A. me ‘Fuqi të Ndjeshme në Treg’ (FNT) në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe vendosjen e masave rregullatore përkatëse”.

Por deri më sot, asnjë masë nuk është zbatuar nga rekomandimet e AK-së nga ana e AKEP-it. Madje me ardhjen e Tomi Frashërit në krye të kësaj agjencie, situata u bë edhe më e favorshme për “Vodafone-Albania” që nuk resht së abuzuari si me konsumatorët ashtu dhe me konkurrentët.

Ndërkohë, shpërblimet që bosët e “Vodafone-Albania” paguajnë për pushimet dhe udhëtimet e Tomi Frashërit dhe familjes së tij, paguhen në fund nga klientët fundorë të kompanisë, qytetarët shqiptarë./Gazetaatdheu.com/  

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit