Një tjetër denoncim i fortë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar ngre alarmin për sjelljen, sipas tij, skandaloze dhe agresive të një kontrollori të autobusëve urbanë në Tiranë, konkretisht linja Stacioni i Trenit. Sipas dëshmisë së tij, punonjësi jo vetëm që ka fyer dhe ofenduar disa gra pasagjere, por më pas është hedhur edhe në sulm ndaj një të riu që guxoi t’i kërkonte të ruante etikën.
Sipas denoncuesit, kontrollori u drejtohej grave me tone fyese dhe arrogante, duke u thënë “shkoni në Bashki gjeni zgjidhje”, ndërsa situata u tensionua edhe më shumë kur një djalë rreth 25 vjeç ndërhyri për t’i kërkuar thjesht të mos u fliste në atë mënyrë.
Por në vend të kërkonte qetësi apo të sillej si një punonjës shërbimi publik, kontrollori, sipas qytetarit, iu vërsul të riut në mënyrë agresive, duke shkaktuar frikë dhe panik mes pasagjerëve. Një skenë që, sipas denoncuesit, nuk është aspak e pazakontë për këtë person.
Qytetari pretendon se i njëjti kontrollor “ka lënë nam” me sjelljen e tij dhe se shumë pasagjerë e njohin për mënyrën arrogante dhe konfliktuale me të cilën sillet gjatë kontrolleve.
Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse dhe verifikimin e këtij rasti. Sipas tyre, është e papranueshme që persona të ngarkuar me një shërbim publik të sillen me kërcënime, fyerje dhe agresivitet ndaj pasagjerëve, ndërsa presin që Autoriteti i Transportit Urban dhe Bashkia e Tiranës të marrin masa nëse pretendimet rezultojnë të vërteta.