Koreja e Jugut do të heqi mishin e qenit nga lista e ushqimeve

Koreja e Jugut do të heqi mishin…

 Në Korenë e Jugut po synohet që të ndalohet me ligj ngrënia e mishit të qenit. Qeveria koreane dhe Partia e Pushtetit Popullor, ranë dakord të prezantojnë para fundit të vitit një akt për t’i dhënë fund konsumit të mishit të qenit deri në vitin 2027. Ky vendim vjen si masë për t’i dhënë fund polemikave mbi zakonin e vjetër të kësaj popullate, dhe për të rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e kafshëve.

“Është koha për t’i dhënë fund konflikteve sociale dhe polemikave rreth konsumit të mishit të qenit nëpërmjet miratimit të një akti të veçantë për t’i dhënë fund“, tha Yu Eui-dong, shefi i politikave të Partisë së Pushtetit Popullor, në një takim me zyrtarë qeveritarë dhe aktivistë për mbrojtjen e kafshëve.

Legjislacioni do të ndalojë mbarështimin e qenve për therje, si dhe shitjen e mishit të qenit. Shitja e mishit të qenit është një biznes në Korenë e Jugut. Pronarët e këtyre dyqaneve e kanë kundërshtuar këtë projektligj, duke thënë se kjo gjë u rrezikon të ardhurat dhe do të sillte falimentin e tyre.  Për këtë ka pasur edhe protesta të vazhdueshme për të mos lejuar mbylljen e këtij biznesi.

Koreja e Jugut ka rreth 1,150 ferma për mbarështimin e qenve, 34 thertore dhe 219 shpërndarës të mishit të qenve në vend, sipas të dhënave të qeverisë. Rreth 1600 restorante shërbejnë mish qeni çdo ditë për klientët e tyre .

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit