Koronavirusi ‘godet’ transportin, falimenton kompanitë, mbi 80 milion euro humbje

Koronavirusi ‘godet’ transportin, falimenton kompanitë, mbi 80…

Alba–Trans, një ndër kompanitë kryesore të transportit për pasagjerë, vendosi të mbyllë aktivitetin e transportit ndërkombëtar, pas 14 vitesh. Kriza nga koronavirusi preku edhe këtë kompani, ku për shkak të vështirësive financiare dhe pamundësisë për të vazhduar punën, drejtuesit e saj e morën këtë vendim.

Kompania operon në disa linja të Greqisë, si në Athinë, Volos, Selanik dhe Kretë, si dhe me Italinë.

Administratorja e agjencisë ndërkombëtare të udhëtimit Alba-Trans, Albana Brati, pohon për “Monitor” se dy janë arsyet që ndikuan te mbyllja e punës, informaliteti dhe konkurrenca e pandershme dhe masat për të punuar me gjysmë kapaciteti për shkak të pandemisë.

“Mënyra se si po funksionon tregu, nuk e shohim më rentabël punën dhe kemi vendosur ta mbyllim aktivitetin. E para është konkurrenca e pandershme.

Në mënyrë të pandershme të konkurrojnë mjetet e vogla 8+1 dhe makinat personale që nisën nga Korça apo kufiri, si taksi të palicencuara. Gjithmonë kemi bërë ankesa, si pranë pikës doganore të Kapshticës, ashtu edhe në Ministrinë e Transportit, por deri tani nuk është marrë asnjë masë shtrënguese.

Nga ana tjetër, edhe pandemia ndikoi për të marrë vendimin e mbylljes së punës, pasi duhet të punonim me reduktim të kapacitetit. Sipas detyrimeve ligjore të përcaktuara në kontratën me partnerin grek, do të vazhdojmë të shesim vetëm bileta edhe për 3 muaj, pa ofruar shërbim transporti ndërkombëtar, deri sa pala greke të gjejë një tjetër operator.

Më pas puna nga ne për transportin ndërkombëtar të pasagjerëve nuk do të vazhdojë.”

“Me të ardhurat që po gjeneron ky biznes dhe shpenzimet që paguajmë, nuk ia vlen të vazhdosh më punën”, shprehet administratorja Brati.

Në dispozicion të këtij shërbimi kanë mbetur edhe 8 autobusë dhe 30 punonjës, si shoferë dhe punonjës të administratës të agjencisë që dalin të papunë. “Shoferëve të transportit ndërkombëtar, ne do t’u ofrojmë vende pune te transporti publik, por nëse nuk e pranojnë, dalin të papunë.

Po ashtu, edhe një pjesë e stafit të agjencisë do të shkurtohet”, pohon zonja Brati. Kompania do të vazhdojë me aktivitetin e saj të transportit urban brenda vendit.

“Alba-Trans” është vetëm një nga shumë sipërmarrjet e transportit, që po goditen rëndë nga bllokimi i lëvizjeve, si brenda dhe jashtë vendit. Transporti urban, ndërqytetas, detar e ai ajror janë në krizë, që nga mesi i muajit mars, kur gjithçka u mbyll papritmas. Në prill në Rinas fluturuan vetëm rreth 4,000 pasagjerë, nga 240 mijë në të njëjtin muaj të 2019-s, sipas INSTAT.

Në situatë të vësjtirë është dhe transporti urban. Drejtori i linjës Kinostudio-Kombinat në kompaninë “Shega Trans”, Kostandin Foni, thotë se humbja për të gjithë operatorët e Tiranës llogaritet 3 milionë euro në muaj. Për periudhën mars-prill-maj, nga mbyllja e punës për transportin urban të Tiranës humbjet janë rreth 9 milionë euro.

Arsyet e humbjeve janë amortizimi i lartë i flotës të autobusëve, që nuk kanë lëvizur, si dhe shlyerja e detyrimeve për periudhën 3-mujore kur ky shërbim nuk ka gjeneruar të ardhura.

Humbjet kanë prekur të gjithë zinxhirin. Në agjencinë e udhëtimeve “Pashaj Travel” pohojnë se kanë pasur rreth 5 mijë anulime paketash turistike për muajin mars që klientët dhe familjet kanë bërë për shkak të situatës.

Të gjitha këto zhvillime ndërkohë ende nuk kanë një përgjigje të shpejtë, nga ana e mekanizmave shtetërorë se si do të mund të ndihmohen kompanitë e transportit qytetas dhe ndërqytetas, transporti ndërkombëtar i pasagjerëve, agjencitë turistike që merren me shitjet e paketave turistike dhe guidat turistike e me radhë.

Në fund të ditës, bizneset e prekura shumë rëndë nga mbyllja e aktiviteteve të tyre paralajmërojnë se mund të shohin si zgjidhje rritje të çmimeve, që do të thotë kosto më shumë në xhepat e qytetarëve, ndërsa nuk ka deri më tani një plan konkret të autoriteteve ekzekutive, fiskale tatimore apo enteve rregullatore se çfarë do të bëhet me kërkesat urgjente dhe të shtuara të operatorëve ekonomikë të transportit për një zgjidhje të situatës.

Ajo që është edhe më stresuese në të gjithë panoramën zhgënjyese ekonomike është fakti se askush nga aktorët e sektorit të transportit, nuk e di saktë se kur do të kthehet normaliteti apo rifillimi i fluturimeve, si më parë me vendet e tjera.

Në sektorin e transportit, sipas të dhënave të INSTAT, operojnë 4,487 subjekte dhe zënë 4,5% të peshës në totalin e ndërmarrjeve në vend. Në sektor, për vitin 2018, numëroheshin 14 mijë të punësuar me rritje rreth 7% nga 2017.

Humbjet në tre muaj, të paktën 84 milionë euro

Sektori i transportit kishte rreth 40,8 miliardë lekë të ardhura (rreth 332 milionë euro) për vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Mesatarisht qarkullimi mujor i këtij sektori është rreth 28 milionë euro.

Mbyllja e aktivitetit të transportit prej 3 muajsh në vend shoqërohet me një rënie të thellë të të ardhurave, të paktën me rreth 84 milionë euro. Pesha e sektorit në Prodhimin e Brendshëm Bruto është rreth 3%, çka do të thotë që kjo pjesë e ekonomisë ka qenë pothuajse e paralizuar. (19% në strukturën e PBB-së e zë bujqësia, 11% tregtia me shumicë dhe pakicë, 6% industria përpunuese etj.).

Transporti urban, në ngërç për detyrimet

Puna në shërbimin e transportit urban të Tiranës është pezulluar prej 3 muajsh, për shkak të frikës së përhapjes së virusit. Gjithsej në Tiranë janë 16 linja urbane, por mbyllja e punës, jo vetëm që ka shkaktuar stres dhe lodhje për qytetarët që kanë rinisur punën, por edhe bilancet e kompanive janë me rënie.

“Nga operatorët e transportit publik, në këtë periudhë nuk është ndërprerë pagesa e kësteve të kredive, ndërkohë që amortizimi i mjeteve dyfish, pasi nuk janë në lëvizje.

Në këtë shifër janë të përfshira edhe pagat e punonjësve që aktualisht nuk po punojnë. Humbja për transportin publik të Tiranës është e konsiderueshme, ku janë të punësuar një numër i lartë punonjësish, që nga shoferët, faturinët, punonjësit e ofiçinave dhe lavazheve, administratës për të cilët puna është pezulluar”, pohon zoti Foni i Shega-Trans.

Çmimet e biletave për transportin ndërqytetas mund të rriten

Transporti ndërqytetas mund të rinisë punën pas 3 muajsh pezullim, më 9 qershor, sipas Kujtim Memës, kryetar i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas të Shqipërisë. Sipas të dhënave të shoqatës, në total për transportin ndërqytetas operojnë rreth 6 mijë mjete.

Rifillimi i punës në sektorin e transportit domosdoshmërisht do të shoqërohet me vendosjen e distancës mes pasagjerëve, për shkak të rrezikut të infektimit nga koronavirusi. Por zoti Mema paralajmëron se, nëse ky shërbim do të punojë me 50% të kapacitetit, rrezikon të falimentojë.

“Nëse punohet me gjysmë kapaciteti dhe me çmimin që ka sot bileta, këto të ardhura janë vetëm për shpenzime karburanti dhe pagesat e shoferëve. Nuk mbeten të ardhura për të paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, tatimet apo edhe një pagesë për mbijetesën e familjeve.”

Në kushtet e vështirësisë financiare për të mbijetuar, Shoqata e Transportit Ndërqytetas kërkon të rrisë çmimin e biletës 30% të paktën 1 muaj, por ky vendim do të shtyhet, pasi qeveria u ka premtuar marrjen e disa masave fiskale për kapërcimin e situatës.

“Ne i kemi kërkuar qeverisë një zgjidhje për rishikim të masave kur të rinisë puna ose, në të kundërt, do të rrisim çmimin e biletës me 30%. Nëse do të punojmë me gjysmë kapaciteti, pra ku në një sedilje dyshe do të ulet vetëm një pasagjer, ne do të falimentojmë. Ka nisur angazhimi për rishikimin e akcizës së karburanteve, ku për këtë periudhë vështirësie, furnizimi i naftës të mos ketë akcizë, të ulet TVSH-ja, si dhe të heqin taksat vendore që paguan çdo mjet në vlerën e 26 mijë lekëve.”

Kompanitë ajrore, të papërgatitura për fluturimet

Mesatarisht, çdo muaj fluturojnë nga dhe në Rinas 200-400 mijë pasagjerë, në varësi të sezonit, sipas të dhënave nga Tirana International Airport.

Në 2019-n, numri i pasagjerëve arriti një rekord prej 3.3 milionë pasagjerësh. Ky treg është tashmë në rënie të thellë, pas ndalimit të fluturimeve që nisi që nga mesi i marsit, për t’u pezulluar tërësisht në fund të tij.

Shoqëritë ajrore në vend, të cilat kanë pezulluar fluturimet ndërkombëtare për shkak të koronavirusit, ende nuk kanë përgatitur një projektplan të fluturimeve për muajt e verës. Përfaqësues të kompanive të fluturimeve thonë se janë në pritje të vendimit të qeverisë dhe mundësimit të fluturimeve sidomos brenda zonës Schengen, pasi në këto kushte, duke mos pasur një datë konkrete të nisjes së punës dhe rregullave të fluturimit, është e pamundur të bëhet një projektplan për fluturimet, frekuencat dhe destinacionet.

“Në Itali është vendosur që distanca mes pasagjerëve në avion të jetë 1 metër, që do të thotë që një avion, me kapacitet 100 vende, të udhëtojë me 20 pasagjerë.

Nëse këto rregulla do të zbatohen edhe në Shqipëri, do të vendosim të mos operojmë ose do të tkurrim aktivitetin, pra do të ulim frekuencat e fluturimeve.

Nuk përjashtohet mundësia edhe e rishikimit të çmimeve të biletave, kjo në varësi të rregullave të specifikuara që pritet të vendosen për fluturimet”, shprehen përfaqësues të kompanive të fluturimeve.

Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në katërmujorin e parë të 2020 është 519,489 pasagjerë, duke u ulur me 39%, krahasuar me katërmujorin e parë të 2019. Sipas INSTAT, për shkak të pandemisë, gjatë muajit prill kanë ushtruar aktivitetin 3 kompani ajrore nga 16 gjithsej.

Kompanitë që kanë operuar, kanë kryer 152 fluturime për muajin prill 2020, me rënie 93% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Në muajin prill 2020, pothuajse ka pasur paralizim të punës edhe për transportin e mallrave me ajër. Sipas INSTAT, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 79,6 tonë mallra, duke u ulur me 57,2%, në krahasim me prill 2019. Në katërmujorin e parë të 2020, me ajër janë transportuar 591,1 tonë mallra, duke u ulur 21,3%, krahasuar me katërmujorin e parë të 2019.

Efekti tek agjencitë turistike

Në situatë amullie dhe humbje të ardhurash, për shkak të pezullimit të punës janë përfshirë edhe agjencitë e udhëtimeve. Në total, në vend operojnë 950 agjenci udhëtimi, ku 350 prej tyre janë në Tiranë. Adenis Pashaj, nga agjencia e udhëtimit “Pashaj Travel” që operon me guida turistike, paketa për pushime verore dhe dimërore, shitjen e biletave të avionit dhe të trageteve, thotë se kanë pasur shumë anulime të paketave turistike për pushimet e prenotuara në qershor nga grupe turistike dhe familjarët.

“Biznesi i parë që u prek nga COVID-19 ishin agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë. Ministria e Shëndetësisë lejoi që këto biznese në fashën e parë të hapjes të lejoheshin të qëndronin të hapur, por realisht ne kemi qenë të mbyllur, pasi agjencia e udhëtimit nuk ka pasur punë.

Shitjet e paketave turistike me Turqinë, nëpërmjet early booking, kanë nisur që nga 15-ditëshi i dytë i janarit. Shitjet kanë qenë të shumta edhe për muajin shkurt, ndërsa nga 9 marsi dhe deri më sot, nuk kemi pasur shitje.

Humbjet janë të konsiderueshme, duke llogaritur edhe shpenzimet e zyrës, pagat e punonjësve. Në kohë normaliteti, shitjet e paketave binin në muajt qershor, korrik dhe gusht, pasi shitjet më të mëdha me ‘early booking’ nisin nga janari deri në mesin e muajit maj. Në muajin mars kemi pasur 5 mijë paketa të anuluara nga grupet turistike për Amsterdam dhe Paris, dhe familje të cilat do të iknin me pushime për Turqi dhe Greqi në muajin qershor.

Nisja e parë me çarter ishte përcaktuar data 26 maj që u anulua, po ashtu edhe nisja për datën 2 qershor u anulua. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, pasi kemi klientë të cilëve ju kemi marrë pagesën për paketa të muajit qershor, korrik, gusht.

Janë klientë që kanë paguar për të ikur me pushime. Rezervimet janë anuluar, por ende nuk është marrë një konfirmim nga operatorët e huaj se si do të veprohet. Nëse parashikohet që fluturimet të nisin më 1 korrik, kemi shumë klientë të cilët nuk mund të bëjnë pushimet vjetore në muajin gusht, pasi lejet u konsumuan në periudhën e karantinës. Jemi në udhëkryq, nuk dimë se çfarë zgjidhje t’u japim klientëve tanë. Një problem i madh mbeten edhe prenotimet e biletave të avionit, ku kemi pasur pafund anulime nga klientët.

Po çfarë zgjidhje do t’u jepet këtyre mijëra klientëve, të cilët kanë prenotuar pushimet me paketa turistike. “Në datën 2 qershor do të zhvillohet një takim mes agjencive, për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Ashtu siç kanë vepruar edhe agjencitë ndërkombëtare, është propozuar që edhe në Shqipëri, klientëve t’u jepet ‘wallet payment’ të njohur nga shteti, pra që paketat të shfrytëzohen vitin tjetër ose të mos përcaktohet afati.

Jam kundër këtij propozimi, pasi të gjithë klientëve duhet t’u kthehen pagesat, pavarësisht se kjo krijon humbjen e marzhit të fitimit nga rishitjet që mund të jetë 8, 10 apo 12%, por agjencia nuk mund ta detyrojë një familje që të ikë përsëri me pushime në Turqi, pasi mund të preferojë të ikë në Greqi.

Një familje shqiptare nuk e ka luksin të iki në Gjermani, mund ta mbajë 2 mijë euro paketën e Turqisë dhe ta shfrytëzojë vitin tjetër. Një familje me të ardhura mesatare mund të punojnë 2 vjet për të bërë pushimet në Turqi dhe vitin tjetër i bën në Jug të vendit.” Zoti Pashaj pohoi se për turizmin e brendshëm është e pamundur të punohet, pasi hotelet në Shqipëri nuk e njohin partneritetin dhe hasin vështirësi në pagesat e komisioneve dhe agjencitë dalin jashtë funksionit.

Ndërkohë, edhe agjencitë që operojnë brenda vendit pohojnë se humbjet për shkak të pezullimit të punës janë të larta. Përfaqësues të një agjencie të vogël me katër autobusë, që operon në Tiranë me guida turistike brenda vendit dhe transportin e grupeve të turistëve nga aeroporti i Rinasit drejt strukturave akomuduese, thonë se të ardhurat e munguara për muajt prill-maj janë rreth 1 milion lekë.

Agjencitë e udhëtimit qarkullojnë rreth 21 milionë euro në muaj, sipas INSTAT, por xhiro e tyre është e dubluar, pasi prej më se tre vitesh pas kërkesave të reja të standardeve të kontabilitetit, ato raportojnë edhe vlerën e biletës, ndërsa më parë deklaronin vetëm marzhin që ato arkëtonin.

Humbja e të ardhurave nga transporti detar

Rënia drastike e eksporteve me 120 mijë tonë, apo 31% mallra të eksportuara më pak, vetëm nga Porti i Durrësit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa Vlora me 30-42% më pak të fluksit të hyrje-daljeve të pasagjerëve, ka vënë në pikëpyetje ekzistencën ekonomike të porteve të vendit, për të përfunduar me Portin e Sarandës, ku humbjet e të ardhurave janë 60%, me goditjen më të madhe shkretuese të pandemisë për shkak të pezullimit të punës me turistët e huaj, kroçerat etj.

Paulin Ndreu, drejtor i përgjithshëm i porteve të Shqipërisë, thotë se ndikimi më i lartë te të ardhurat mbetet nga transporti i pasagjerëve. Për shkak të mungesës së transportit të pasagjerëve, edhe pse Porti i Durrësit dhe Shëngjinit kanë vazhduar punën për transportin e mallrave, humbjet e të ardhurave për periudhën janar-prill, sipas zotit Ndreu, janë 30 deri 60%.

“Rënia më e madhe e të ardhurave është në Portin e Sarandës, pasi funksionon më shumë si port turistik, ku fluksi i ardhjes së turistëve u ul në një periudhë, si stina e pranverës, ku ardhja e kroçerave në kohë normaliteti ishte e lartë. Edhe Porti i Durrësit ka rënie të të ardhurave, për shkak të reduktimit të numrit të pasagjerëve, por kjo është kompensuar me transportin e mallrave. Pas mbylljes së portit të Brindisit ishim të detyruar të mbyllnim Portin e Vlorës, i cili nuk ka punuar as me tragetet me kamionë. Të gjithë tragetet me kamionë kanë ardhur nga Durrësi.

Në Portin e Shëngjinit nuk kryhet transporti për pasagjerët, por vetëm të mallrave, kryesisht importi i çimentos rifuxho dhe karburanteve, pësuan ulje 40% të totalit të tyre në krahasim me 4-mujorin e 2019-s. Edhe në këtë port, të ardhurat janë me rënie. Por ndjeshmëria më e madhe është në Portin e Durrësit, Sarandës dhe Vlorës ku lëvizin pjesa më e madhe e pasagjerëve dhe mallrave.”

Transporti i mallrave goditet nga ulja e prodhimit

Pandemia ka goditur edhe transportin ndërkombëtar të mallrave, veçanërisht eksportet, të cilat kanë rënie drastike, siç pohojnë edhe përfaqësues të agjencive të transportit ndërkombëtar të mallrave në rrugë tokësore dhe detare.

Sipas INSTAT, mallrat e eksportuara me rrugë për muajin prill ishin 36,6% më pak se në 2019-n. Në muajin prill, vendi ishte në karantinë të plotë çka ka detyruar edhe agjencitë e transportit ndërkombëtar të mallrave të punojnë me kapacitet të reduktuar.

Përfaqësuesi i kompanisë Shega–Trans, Kostandin Foni, thotë se kompania në muajt mars-prill punoi me 30% të kapacitetit, veçanërisht për importin e mallrave ushqimore, farmaceutike dhe detergjentëve. Zoti Foni thotë se eksportet kanë shënuar rënie, pasi për shkak të mbylljes, shumë biznese ulën prodhimin. “Në muajt mars-prill, është punuar me rreth 25-30% të kapacitetit të flotës dhe me staf të reduktuar.

Transportet gjatë kësaj periudhe, kryesisht kanë qenë për produktet ushqimore dhe ato farmaceutike.

Gjatë muajit maj, ka filluar të ndihet një shtim i fluksit të transporteve që shkon në rreth 60% të kapaciteteve tona, por shqetësimi më kryesor ngelet mungesa e eksporteve, ku për shkak të pandemisë, shumë biznese prodhuese shqiptare, kanë ndaluar së prodhuari dhe eksportuari, por dhe shumë biznese jashtë Shqipërisë, ku furnizohen prej bizneseve shqiptare, kanë qenë të mbyllura.

Për sa u përket transporteve detare dhe tokësore me kontejner, situata ka qenë më favorizuese dhe transportet nuk janë ndalur në asnjë moment.”

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit