Kosova ka zgjedhur presidenten e re. Justina Shiroka-Pula është votuar në raundin e parë nga Kuvendi i Kosovës, duke marrë 81 vota pro.
Votimi përfundoi tre minuta pas mesnatës, ndërsa numërimi i votave rreth 15 minuta më vonë. Kandidatura e Shiroka-Pulës u propozua në minutat e fundit nga kryeministri Albin Kurti dhe u pranua nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza. Për të plotësuar procedurat, PDK propozoi si kundërkandidate deputeten Eliza Hoxha.
Seanca e jashtëzakonshme nisi pak para mesnatës, në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit. Fillimisht Kuvendi votoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe më pas kaloi në votimin për kreun e shtetit.
Kush është Justina Shiroka-Pula?
Justina Shiroka-Pula ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë dhe është ekonomiste, profesore dhe akademike. Ajo ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa karrierën akademike e ka zhvilluar kryesisht në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Ajo u diplomua në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë në vitin 1976, ndërsa kreu studimet pasuniversitare në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Zagreb. Në Universitetin e Prishtinës nisi punën në vitin 1978 dhe në vitin 2004 u zgjodh profesore ordinare. Gjatë karrierës ka kryer edhe studime pasdoktorale në Austri dhe në SHBA.
Përveç aktivitetit akademik, Shiroka-Pula ka pasur edhe angazhim në politikë dhe institucione publike. Ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve 2008–2011, ndërsa nga viti 2011 deri në 2014 ishte deputete e Kuvendit të Kosovës.
Në vitin 2016 u zgjodh anëtare korrespondente e ASHAK-ut, ndërsa në vitin 2020 u bë anëtare e rregullt e Akademisë. Më pas mori drejtimin e institucionit, detyrë që e mbante deri në zgjedhjen e saj presidente e Kosovës.