Një tjetër incident me tone politike ka shoqëruar ndeshjet kualifikuese të UEFA Champions League. Gjatë përballjes mes Larne dhe Crvena Zvezdës, në tribunat e stadiumit u shfaq një banderolë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, e ekspozuar nga tifozët serbë.
Pas përfundimit të takimit, klubi serb publikoi në rrjetet e tij zyrtare një foto nga atmosfera në stadium, ku dallohej qartë edhe pankarta në fjalë. Postimi u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi reagime të shumta, veçanërisht nga përdoruesit shqiptarë, të cilët mbushën komentet e klubit me kritika.
Mesazhi “Kosova është Serbi”, i përdorur prej vitesh nga grupimet ultras serbe, rikthen edhe një herë në vëmendje ndërthurjen e futbollit me çështjet politike, pavarësisht rregullave të UEFA-s që ndalojnë shfaqjen e mesazheve politike, ideologjike ose provokuese në stadiume.
Deri në këto momente, UEFA nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me incidentin apo me publikimin e fotografisë nga Crvena Zvezda. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse organet disiplinore të qeverisë së futbollit evropian do të hapin një procedurë hetimore dhe nëse klubi serb do të përballet me masa për sjelljen e tifozëve të tij.