Kosova me masa të reja kundër Covid-19

Kosova me masa të reja kundër Covid-19

Masa të reja kundër Covid-19 në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të ketë kufizime të reja në luftën kudër Covid-19, sëmundjes që shkaktohet nga koronvirusi i ri. Me vendim e miratuar, manuali i Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19, është bërë obligativ.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ky vendim vjen pas rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 dhe pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19, IKSHPK na ka rekomanduar si Ministri të Shëndetësisë, dhe pas takimit me Komitetin për menaxhimin e pandemisë, kërkoj që të përkrahni vendimin e Ministrisë që konsiston që institucionet publike dhe private obligohen të organizojnë punën me stafin e tyre në distancë fizike, apo nga shtëpitë e tyre (në mënyrë) online, në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive bazuar në legjislacionin në fuqi, që nënkupton reduktimin e stafit. Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të shtojnë kontrollet të bartjes së maskave në hyrje të çdo institucioni”, tha Zemaj.

Gjithashtu, ministri Zemaj ka shtuar se të gjitha institucionet obligohen që t’i përmbahen manualit të Ministrisë dhe Inspektoratet përkatëse të mbikëqyrin respektimin e këtij vendimi. Ai ka shtuar se qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i situatës në terren, për të vazhduar me planin e ri për masat lehtësuese.

Në ditët e fundit, në Kosovë është shënuar rritje e rasteve të reja me koronavirus. Më 16 qershor, IKSHPK-ja njoftoi për 141 raste të reja me këtë virus. Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,756 raste me koronavirus. Prej tyre, 968 janë shëruar, derisa 34 pacientë tjerë kanë vdekur.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit