Kosova nuk ia del me Izraelin, dardanët zhvillojnë paraqitje dinjitoze me 10 lojtarë

Kosova nuk ia del me Izraelin, dardanët…

Kosova nuk ka arritur të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe është ndalur në një barazim pa gola, 0-0, përballë Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri”. Në sfidën e vlefshme për raundin e pestë të Ligës së Kombeve, dardanët krijuan disa mundësi të mira shënimi, por mungoi konkretizimi për të marrë tri pikët.

Skuadra e Kosovës e nisi takimin me intensitet dhe iu afrua golit që në minutën e 8-të, kur Edon Zhegrova provoi me një goditje drejt portës, por topi përfundoi fare pranë shtyllës së majtë.

Rasti më i mirë për vendasit në pjesën e parë erdhi në minutën e 41-të. Pas një goditjeje nga këndi, Milot Rashica kërceu mbi mbrojtësit kundërshtarë dhe goditi me kokë, por traversa i mohoi golin sulmuesit kosovar. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0.

Situata u komplikua për dardanët në minutën e 67-të, kur Veldin Hoxha u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Kosovën me një lojtar më pak.

Megjithatë, edhe në inferioritet numerik, vendasit vijuan të kërkonin golin e fitores. Në minutën e 73-të, Zhegrova pati një tjetër mundësi të artë, por goditja e tij kaloi vetëm pak centimetra larg shtyllës së djathtë.

Pavarësisht përpjekjeve deri në vërshëllimën përfundimtare, rrjetat mbetën të paprekura dhe të dyja skuadrat u ndanë nga një pikë.

Me këtë rezultat, Kosova shkon në kuotën e 6 pikëve dhe ruan vendin e dytë në grup, ndërsa Izraeli mbetet në fund të klasifikimit me 3 pikë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit