Kostoja e jetesës në Tiranë tejkalon mundësitë e qytetarëve me të ardhura të mesme

Kostoja e jetesës në Tiranë tejkalon mundësitë…

Ornela, një vajzë e re 31-vjeçare, tashmë prej gati 4 vitesh banon me motrat e vëllezërit e saj në një shtëpi me qira me tre dhoma në Tiranë. Ata janë një familje e përbërë prej 2 motrash dhe 2 vëllezërish, ndërkohë që Ornela ishte e para që erdhi në Tiranë nga Skrapari përpara 5 vitesh, duke filluar punë në një ‘Call Center’.

Pas saj, iu bashkua edhe vëllai i vogël dhe 2 të tjerët që ishin gati të vijonin studimet e tyre të larta.

Me ndihmën e Ornelës dhe për arsye ekonomike, ata vendosën të ndajnë të njëjtën shtëpi në mënyrë që të kursejnë të paktën për pjesën e strehimit.

“Punova në Call Center për 3 vite, por është tepër e lodhshme, megjithëse të krijon mundësi ekonomike. Kisha mundësinë që të paktën qiranë për garsonierën në të cilën jetoja fillimisht ta mbuloja vetë. Gjithsesi pasi motra dhe vëllezërit vendosën të vinin dhe ato në Tiranë u detyruam të merrnim një shtëpi më të madhe, me qiranë e të cilës na ndihmojnë dhe prindërit, pasi unë nuk mund t’i mbuloj dot të gjitha me punën time”, tregoi Ornela, e cila tashmë punon si sekretare në një qendër kursesh për gjuhë të huaj.

Sipas përllogaritjeve të databazës ndërkombëtare për kostot e jetesës dhe statistikave botërore “Numbeo”, Tirana renditet e 376-ta mes 558 qyteteve të listuar në të gjithë botën.

Sipas Instituti Kombëtar të Statistikave një familje prej 4 personash në Shqipëri shpenzon mesatarisht 84 mijë lekë në muaj. Një kosto e tillë, shpesh i kalon mundësitë ekonomike të qytetarëve, pasi paga mesatare mujore bruto gjatë vitit 2020 për një të punësuar është 53 mijë lekë në muaj.

Në mënyrë të veçantë në Tiranë, shpenzimet për marrjen me qira ose kostot e blerjes të një apartamenti janë larg mundësive të shumë prej banorëve të qytetit.

Çmimet e qirave dhe të shtëpive janë të reklamuara në euro, ku një banesë 2+1 e përshtatshme për një familje prej 4 personash, me kushte minimale, kushton mbi 300 euro, në varësi të vjetërsisë së banesës dhe kushteve të mobilimit.

“Kur punoja në Call Center dhe jetoja vetëm, mund të menaxhoja deri diku shpenzimet e mia, pasi qiraja për një garsoniere ishte relativisht e ulët, rreth 160 mijë lekë të vjetra, si edhe me ushqimin mund të manovroja gjatë ditës duke qenë se isha vetëm unë,” kujton Ornela.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit