Krahu i djathtë i Blendi Gonxhes në tavolinë me Bekim Bulicën e “Principotes”

Krahu i djathtë i Blendi Gonxhes në…

Nëse kërkoni një përkufizim se si funksionon simbioza mes institucioneve të shtetit dhe “sipërmarrjeve” kriminale, mjafton të shihni faktin se miqtë e njerëzve të afërt të Blendi Gonxhes kanë zaptuar toka qytetarësh dhe kanë ngritur ndërtime pa leje. Ndërkohë që turizmi zyrtar mburret me statistikat, resorti luksoz “Principotes” në Ksamil qëndron si monument i shkeljeve ligjore mbi toka të tjetërsuara.

E themeluar në janar 2022, me vetëm 100 lekë kapital, në emër të 70-vjeçares Kade Bulica, “Principotes” është ngritur mbi një truall prej 8800 metrash katrorë që u përket ligjërisht trashëgimtarëve të Selfo Çoçolit, i kthyer me Vendimin nr. 321 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Subjekti ka zaptuar një pjesë të pronës duke ngritur ndërtime pa leje, ndërsa pronarët i janë drejtuar Prokurorisë së Sarandës, por resorti ka vijuar aktivitetin.

Pas këtij luksi fshihet 36-vjeçari Bekim Bulica, i shpallur në kërkim pasi u largua pas konfliktit ku u gjet i pajetë në shezlongët e plazhit turisti 20-vjeçar portugez Luis Miguel Varela Mendez. Bulica mbart akuza dhe hetime për trafik droge në Paris, tentativë vrasjeje, kanosje, armëmbajtje pa leje, dhunë ndaj Policisë dhe pastrim parash.

Ironia kulmon kur, pak orë pas vrasjes së turistit, publikohet një fotografi ku Endri Haxhiu drejtues i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe njeriu më i besuar i ministrit Blendi Gonxhe shfaqet në një mjedis privat me Bekim Bulicën, personin e lidhur me ngjarjen dhe strukturën e ngritur mbi toka të zaptuara.

Në Shqipëri, shteti shemb kasollen e fukarasë për një çati pa leje, ndërsa miqtë e pushtetarëve, me 100 lekë kapital e troje të zaptuara, mbajnë hapur resorte dhe drekojnë me krahun e djathtë të ministrit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit