Policia e Kosovës ka ushtruar kontrolle në banesat dhe pronat e Valon Ramushit, 38-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Nafije Bogujevci, dhe vëllait të saj, Egzon Bogujevci, si dhe plagosjen e një familjari tjetër në Gjilan.
Gjatë bastisjeve, të kryera me urdhër të prokurorit, janë zbuluar dhe sekuestruar disa armë zjarri, qindra fishekë, mijëra gëzhoja dhe materiale të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, në pronat e 38-vjeçarit janë gjetur dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje dhe një armë gjahu. Gjithashtu, janë sekuestruar 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1600 gëzhoja për armë gjahu.
Hetuesit kanë marrë si prova materiale edhe disa telefona celularë dhe një pajisje DVR, e cila shërben për ruajtjen e pamjeve të kamerave të sigurisë.
Kontrollet janë shtrirë edhe në dy ambientet ku dyshohet se ka ndodhur krimi. Aty janë gjetur katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.
Një tjetër armë është zbuluar në automjetin e Ramushit. Bëhet fjalë për një pistoletë që dyshohet se është përdorur në vrasjen e dyfishtë, ndërsa sipas policisë, edhe kjo armë rezultonte me leje të skaduar.
Të gjitha provat e sekuestruara pritet të analizohen nga ekspertët, me qëllim përcaktimin e dinamikës së ngjarjes dhe rrethanave në të cilat u krye krimi.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se Valon Ramushi nuk rezulton me precedentë penalë dhe se ndaj tij nuk kishte pasur më parë denoncime për dhunë në familje.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 tetor, në fshatin Livoç i Poshtëm të Gjilanit. Ramushi dyshohet se qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij 27-vjeçare, Nafije Bogujevci, dhe vëllain e saj 31-vjeçar, Egzon Bogujevci.
Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një 48-vjeçar, djali i xhaxhait të viktimës, i cili po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Pas ngjarjes, 38-vjeçari u vetëdorëzua në polici. Deri më tani, motivet e vrasjes së dyfishtë mbeten të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit.