Kristjan Asllani i jep fitoren Interit kundër Veronës, shënon golin e vetëm të ndeshjes

Kristjan Asllani i jep fitoren Interit kundër…

Kristjan Asllani është kthyer në protagonist absolut për Interin, duke realizuar golin e vetëm në fitoren minimale 1-0 kundër Veronës në kuadër të javës së 35-të të Serie A. Mesfushori i Kombëtares shënoi nga pika e bardhë të penalltisë në minutat e para të ndeshjes, duke treguar qetësi dhe saktësi ndaj portierit Montipò.

Ky ishte goli i parë sezonal për 23-vjeçarin në kampionatin italian, pas 20 paraqitjesh në këtë edicion. Përveç këtij realizimi, Asllani ka dhënë edhe dy asistime, ndonëse shpesh ka qenë në qendër të kritikave të mediave italiane për kontributin e tij në mesfushën zikaltër.

Ndeshja erdhi në një moment delikat për Interin, që kishte humbur tre ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet dhe po përgatitet për sfidën e kthimit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës. Me mungesa të rëndësishme si Calhanoglu dhe Lautaro Martinez, trajneri Inzaghi zgjodhi t’i besojë që nga minuta e parë Asllanit, i cili e shpërbleu besimin me një paraqitje vendimtare.

Asllani i dha shpresë Interit për të mbajtur gjallë garën për titull, ndonëse Napoli është vetëm pak pikë larg sigurimit të Scudettos. Megjithatë, për mesfushorin kuqezi, ky gol mund të vlejë më shumë se tre pikë, si një përgjigje ndaj kritikëve dhe një sinjal për të ardhmen, mes zërave që e lidhin me një largim të mundshëm nga Milano në merkaton e verës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit