Kristo: Shoqëria civile në Shqipëri është asimptomatike, protestoni për kauzat

Kristo: Shoqëria civile në Shqipëri është asimptomatike,…

Erion Kristo është një nga figurat më aktive të shoqërisë civile, edhe pse ai e përkufizon veten në mënyrë të kundërt dhe provokative.

“Unë në fakt i përkas shoqërisë incivile. Shoqëria civile në Shqipëri ka të bëjë me projekte, me kumtesa, por nuk ka të bëjë me aktivizim shoqëror, unë i përkas më shumë aktivizmit”, thotë ai.

Sipas Kristos, duke marrë si metaforë një terminologji të njohur tashmë nga pandemia, thotë se shoqëria civile shqiptare është asimptomatike. “Krijohen komitete në Parlament, kur bëjnë aktivitete dynden kamerat, por nuk shohim rezultatet përfundimtare të këtyre iniciativave. I jepen poste dhe makina të shtrenjta individëve që bëhen megafonë të kryetarëve dhe jo të halleve të popullit, bëhen heronj njerëz që nuk e meritojnë, që fryhen me pompe”, thotë Kristo për A2.

Ndërkohë, sipas tij, ka elemente të shoqërisë civile që nuk kanë reshtur së foluri për problematikat e shndërruara në plagë të shoqërisë shqiptare, si në rastin e dhunimit të adoleshentes që ka qenë kryefjala e mediave në ditët e fundit.

“Kujtohemi për zjarrin vetëm kur shkon në kat të dytë. Sot flasim për rastin e një vajze të dhunuar, ku gjysma e fajit i përket organeve shtetërore, duke filluar nga heshtja, institucionalizimi i dhunës, mungesa e strategjive. Në eksperiencën time, të gjithë këto raste kanë të bëjnë me cedimin e ndonjë institucioni, që nuk ka funksionuar atëherë kur duhej”, shton aktivisti.

Sipas tij, fatkeqësia e parë në këtë çështje ishte krimi në vetvete, e dyta ishte mos reagimi i institucioneve, dhe e treta qëndrimi i mediave, që lëvrin te plaga me dëshirën për të nxjerrë fytyra, pjesën më makabre”.

Fëmijët janë pjesa e shoqërisë për të cilën duhet të ketë një angazhim maksimal, “sepse po ndikohen nga rryma të jashtëzakonshme, predatorët e tyre janë më shumë se 150 siç thuhet,  në një shoqëri që bazohet te dukja, paraja, te pushteti i tepërt”.

Një çelës për të kuptuar këto problematika mund të shihet edhe te mungesa e solidaritetit. “Që të krijojmë një shoqëri të drejtë, që përbashkohet për hallet e mëdha. Halli i fëmijëve, i atyre që jetojnë në çadra, të atyre që kanë humbur bizneset, janë hallet e përbashkëta, nuk mund të jetë hall vetëm për ata që kanë hallin, për ata që dalin në protestë sepse nuk i japin bukën e gojës. Sipas eksperteve, janë 120 mijë të papunët. Imagjinoni sikur të dilnin në shesh 240 mijë persona, familjarët e tyre, do të ishte protesta më e madhe e shqiptarëve”, thotë Kristo që jep edhe një këshillë. “Duhet të bashkohemi te kauzat, dhe jo me njerëzit.  Mos prisni një mesi. Në qoftë se kauza e një vajze të dhunuar ia vlen të  protestosh, protestoni”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit