
Mungesa e kontratave, zhvlerësimi i euros dhe kostot në rritje po i çojnë fasonët drejt mbylljeve dhe shkurtimeve masive të vendeve të punës
Industria fasone në Shqipëri po përballet me një tjetër valë krizash që rrezikojnë seriozisht mijëra vende pune. Sipas paralajmërimeve të fundit, shumë fabrika do të mbyllen pas përfundimit të sezonit veror për shkak të rënies së kontratave nga partnerët e huaj, zhvlerësimit të euros dhe rritjes së ndjeshme të kostove të prodhimit.
Kryetari i shoqatës ProEksport Albania, Edvin Prençe, shprehet se situata është alarmante, sidomos në sektorin e manifakturës së veshjeve dhe këpucëve. Ai thekson se kjo industri punëson mbi 60 mijë persona, shumica gra dhe të rinj, në rajone ku industria është shpesh punëdhënësi i vetëm.
Rënia e porosive ka sjellë ndërprerje kontratash, reduktim të orëve të punës dhe mbyllje të linjave të prodhimit. Në mungesë të ndërhyrjeve urgjente nga institucionet, Prençe paralajmëron se dhjetëra mijëra vende pune janë në rrezik deri në fund të vitit.
Ndër faktorët më shqetësues janë forcimi i vazhdueshëm i monedhës vendase që dëmton eksportet, kostot në rritje për punën dhe energjinë, si dhe mungesa e një kursi të mbrojtur për transaksionet eksportuese. Po ashtu, kërkesa nga partnerët europianë po bie, për shkak të pasigurisë ekonomike dhe konkurrencës nga tregjet me kosto më të ulët.
Vetëm në një vit, nga nëntori 2023 deri në nëntor 2024, industria ka humbur mbi 10 mijë vende pune si pasojë e mbylljes së fabrikave. Zonat më të goditura janë Kruja, Fushë-Kruja, Laçi, Lezha dhe Shkodra, ku impakti social dhe ekonomik është ndjerë më thellë.
Për të ndalur rënien e mëtejshme, janë propozuar disa masa konkrete, përfshirë vendosjen e një kursi të mbrojtur për eksportet, uljen e barrës fiskale, kalimin nga modeli fason në cikël të plotë prodhimi dhe promovimin e eksporteve jashtë BE-së.
Edvin Prençe thekson se, pa këto masa, viti 2025 mund të kthehet në vitin më të vështirë për prodhimin vendas, duke goditur jo vetëm tregun e punës por edhe ekonominë kombëtare dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të zinxhirit të furnizimit.
Pavarësisht një rritjeje të lehtë në muajin maj, performanca e përgjithshme e sektorit mbetet negative. Sipas INSTAT-it, për periudhën janar-maj 2025, eksportet e tekstileve arritën në 25,7 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 2,5%. Po ashtu, eksportet e këpucëve ranë me 0,5%, duke përforcuar tendencën e rënies në këtë sektor strategjik.