"Kriza" e marokenëve, Italia mbyll kufinjtë ajrorë dhe detarë

“Kriza” e marokenëve, Italia mbyll kufinjtë ajrorë…

Italia ka vendosur të rikthejë përkohësisht kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën, në përgjigje të krizës së emigrantëve në Ceuta dhe shqetësimeve për sigurinë në hapësirën Schengen.

Vendimi u mor nga Ministria e Brendshme italiane pas një mbledhjeje të Komitetit për Analizën e Emigracionit dhe Sigurisë së Kufijve, të drejtuar nga ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi.

Në të njëjtën kohë, Piantedosi zhvilloi një bisedë telefonike me homologun francez, Laurent Nuñez, ku palët ranë dakord të forcojnë kontrollet në kufirin tokësor mes Italisë dhe Francës, në kuadër të bashkëpunimit mes forcave policore të dy vendeve.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, mbështeti masën, duke theksuar se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të rregullave të Schengenit me Spanjën është i domosdoshëm për garantimin e sigurisë.

Në një reagim në rrjetin social X, Tajani u shpreh se kjo masë synon mbrojtjen e qytetarëve italianë dhe forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, situata e krijuar në Ceuta tregon se menaxhimi i kufijve të jashtëm është një përgjegjësi e përbashkët e vendeve anëtare të BE-së. Ai theksoi se nevojitet bashkëpunim më i ngushtë për të parandaluar hyrjen e flukseve të pakontrolluara të emigrantëve, duke paralajmëruar se një situatë e tillë mund të sjellë rreziqe për sigurinë, përfshirë edhe kërcënimet terroriste.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit