Kriza energjitike, qeveria Rama e shpalli por nuk publikoi asnjë masë

Kriza energjitike, qeveria Rama e shpalli por…

 

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama doli në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ku shpalli krizën energjitike. Ai bëri një rezyme të asaj që po ndodh në Botë, foli për rreziqet dhe rritjen e çmimeve, pohoi se Shqipëria ashtu si edhe shumë vende të tjera do të përballen me krizën, e cila pritet të marrë fund në qershor të 2022, por nuk dha asnjë masë që do të ndërmerret.

Kryeministri u shfaq thjesht si një lajmës, pothuajse në panik si në rastin kur fliste në ditët e para të pandemisë së Covid-19 për armikun e padukshëm, dhe nuk artikuloi asgjë konkrete mbi një plan masash se çfarë do të bëjë Qeveria e tij.

Ai foli se do të bëhet ç´është e mundur për të mbrojtur shtresat në nevojë, konsumatorin familjar, biznesin e vogël, por nuk tha qoftë edhe një mënyrë se si do të mund të bëhet kjo mbrojtje.

Shumë lehtësisht, Kryeministri mund të shfaqej nesër apo çdo ditë tjetër të javës për të njoftuar krizën energjitike, bashkv me një ekip ekspertësh, duke paraqitur edhe një paketë masash, që mund të ndërmerreshin.

Gjithçka që sot tha Kryeministri ishte një deklaratë për t´i paraprirë krizës së mundshme, që sikundër pohoi ai nuk po i shpëton as Kina, as Europa, as vendet fqinje dhe shumë shpejt do të trokasë edhe në Shqipëri. Në të njëjtën formë, Kryeministri u shfaq edhe në ditët e para të muajit mars, në fillimet e pandemisë, kur fliste për masa, por që në realitet nuk u pa asnjë e tillë, përveç stopimit të jetës në vend, duke përdorur policinë dhe ushtrinë.

Fjala e Ramës:

Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjitike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh.

Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat, se ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre.

Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurtë, se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit, e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i Armikut të Padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur, e as as nuk na ve dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme.

Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit