Kriza politike në Kosovë thellohet: dështon për të 36 herë konstituimi i Kuvendit të ri

Kriza politike në Kosovë thellohet: dështon për…

Dështimi i 36-të për formimin e Kuvendit po i mban peng institucionet dhe e shtyn vendin drejt një krize të thelluar politike e kushtetuese

Për të 36-ën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet, duke e lënë vendin pa një përbërje të re legjislative, gati katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit. Seanca e mbajtur të hënën u ndërpre shpejt, ashtu si në rastet e mëparshme, pa ndonjë vendim që do të mund të zhbllokonte situatën.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përsëriti thirrjen drejtuar partive që ende nuk kanë dorëzuar emrat për anëtarët e komisionit zgjedhor për kryetarin e Kuvendit, por pa ndonjë rezultat. Nga 54 deputetë të pranishëm, 53 votuan pro, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Seanca e radhës është caktuar për 25 qershor në orën 11:00, njoftojnë burime pranë kuvendit dhe televizionit shtetëror RTK.

Ngërçi ka lindur për shkak të mungesës së dakordësisë mes partive për emrat e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Partitë si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë ofruar kandidatura për komisionin e fshehtë të votimit për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila ka dështuar të marrë 61 votat e nevojshme në një votim të hapur.

Ekspertët juridikë dhe kushtetues po shprehin shqetësim për mungesën e një afati të përcaktuar në Kushtetutë për konstituimin e Kuvendit. Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se ky boshllëk është duke u keqpërdorur nga partitë për të zvarritur procesin.

Sipas tij, hartuesit e Kushtetutës nuk mund ta kishin parashikuar një bllokim të tillë institucional.

“Hartuesit e Kushtetutës nuk kanë mundur ta parashihnin këtë devjim, këtë destruksion, i cili në suaza normale nuk është dashur të ndodhte”, tha ndër të tjera Kryeziu.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në kandidaturën e Haxhiut, duke e cilësuar atë si figurën më të përshtatshme për të udhëhequr Kuvendin. Por për opozitën, ajo shihet si një figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Kërkesa për të ndryshuar mënyrën e votimit nga e hapur në të fshehtë është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Disa parti opozitare nga legjislatura e kaluar kanë kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e seancave derisa të ketë një vendim përfundimtar.

Profesori Mazllum Baraliu theksoi se partitë po shfrytëzojnë këtë boshllëk për të kamufluar, sipas tij, paaftësinë e fituesit për të formuar institucionet. Sipas tij, mungesa e vullnetit politik po kthehet në pengesë për shtetin.

“Në këtë rast, them se përgjegjësia është e të parit, fituesit relativ, por edhe e të tjerëve, pa dallim, sepse nuk janë të interesuar si klasë politike për shtet dhe institucione, por për pushtet”, tha Baraliu.

Për të nisur punën legjislative, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarë të Kuvendit. Vetëm pas kësaj mund të procedohet me formimin e Qeverisë së re.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka quajtur këtë zvarritje të dëmshme për kredibilitetin e institucioneve dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje klasës politike të ndërpresë këtë bllokim dhe të formojë sa më shpejt institucionet, për të garantuar stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit