Kryebashkiaku i Kuçovës i 'bashkohet' kolegëve, dënohet me 1 vit burg

Kryebashkiaku i Kuçovës i ‘bashkohet’ kolegëve, dënohet…

Kryetari i bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari, u dënua këtë të enjte me 1 vit heqje lirie nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul në 9 muaj burg.

Por edhe kjo masë është pezulluar nga drejtësia, duke lënë si dënim përfundimtar vetëm 150 orë punë komunitare. Hajdari u mor i pandehur nga SPAK në nëntor 2023, i akuzuar për veprën penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer në bashkëpunim.

Vetë kryebashkiaku në formularin e dekriminalizimit, që është një proces që e ndjekin të gjithë personat që garojnë për një post publik, e mohoi këtë akuzë duke mos shkruar asgjë në dokument lidhur me të.

Hetimet ndaj Kreshnik Hajdarit nisën pas një denoncimi nga kundërshtarët e tij politikë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në KQZ, duke pretenduar se ai kishte fshehur një dënim të formës së prerë nga shteti grek, për kalim të paligjshëm të kufirit. Kjo gjë rezultoi e vërtetë, pasi autoritetet në vendin tonë kërkuan konfirmim nga drejtësia e Greqisë që tha se pretendimi është real dhe Hajdari ka qenë i dënuar për këtë vepër penale.

Pavarësisht përgjigjes, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, nuk i pezulloi Hajdarit mandatin e kryetarit të bashkisë, duke pretenduar se vepra në fjalë nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Tashmë Kreshnik Hajdari është emri i radhës që i shtohet listës së kryebashkiakëve të dënuar nga radhët e “Rilindjes” për shkelje të shkeljeve të ligjit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit