Edhe pas 12 ditësh protestash dhe përplasjesh mes qytetarëve dhe policisë, kryeministri Edi Rama nuk jep asnjë sinjal se ka ndërmend të largohet nga pushteti. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për dorëheqjen e tij, kreu i qeverisë duket i vendosur të qëndrojë në detyrë, ndërsa kërkesat e protestuesve i cilëson si të pamjaftueshme për të imponuar largimin e tij.
Gjatë prezantimit të paketës së re ligjore kundër dhunës urbane, një ditë pas protestës së shoqëruar me incidente në Tiranë, Rama deklaroi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë largimin e tij, por shtoi se kjo nuk mund të imponohet përmes dhunës apo formave të tjera të presionit.
“Kush nuk e do qeverinë apo do largimin tim, jo sot, por dje, është në lirinë dhe të drejtën e tij ta mendojë, ta thotë, ta propagandojë dhe ta kthejë në protestë”, u shpreh ai.
Megjithatë, pas 12 ditësh me qytetarë në rrugë dhe me thirrjen e dorëheqjes që vijon të jehojë në protesta, kryeministri nuk ka dhënë asnjë përgjigje që të tregojë se është i gatshëm të marrë përgjegjësi politike për situatën e krijuar.
Përkundrazi, Rama e bëri të qartë se nuk e sheh dorëheqjen si një mundësi që mund t’i imponohet nga protestuesit.
“Unë mendoj se kush kërkon dorëheqjen time gabon duke menduar se mund të imponohet me dhunë apo çdo formë tjetër”, deklaroi kryeministri.
Ndërsa Rama flet për kufijtë e protestës dhe rendin publik, qytetarët vijojnë të kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i qeverisë. Pas 12 ditësh protestash, qëndrimi i kryeministrit mbetet i pandryshuar: ai nuk ka ndërmend të largohet, pavarësisht presionit që vjen nga rruga.