Një emigrant shqiptar që jeton në Itali ka denoncuar përmes një mesazhi situatën e vështirë me furnizimin me ujë të pijshëm në fshatin Pocest, njësia administrative Maqellarë, në Dibër.
Sipas tij, sa herë kthehet për pushime në vendlindje, prej gjashtë vitesh përballet me të njëjtin problem: mungesën e ujit.
Ai shprehet se është ankuar edhe pranë kryeplakut të fshatit, i cili, i ka thënë se e ka ngritur shqetësimin në bashki, por ende nuk është gjetur një zgjidhje.
“Nuk mund të vijmë me qejf dhe gëzim në vendlindjen tonë, pasi nuk kemi as ujë për nevojat më elementare. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të marrin masa dhe t’i japin zgjidhje këtij problemi, i cili vazhdon prej vitesh,” shprehet emigranti në denoncimin e tij.
Me temperaturat e larta të verës dhe vapën përvëluese, mungesa e ujit e bën situatën edhe më të rëndë për banorët dhe emigrantët që kthehen për pushime në vendlindje. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për t’i dhënë fund një problemi që, sipas tyre, zvarritet prej gjashtë vitesh dhe po u vështirëson jetën e përditshme.