Një turist i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar një eksperiencë të pakëndshme që ka përjetuar gjatë marrjes me qira të një automjeti në Vlorë.
Ai ka treguar se pak ditë më parë ka marrë me qira një makinë te “EA. Rental” në Vlorë për 50 euro për gjithë ditën. Para se të merrnin automjetin, turistët filmuan të gjithë makinën, duke dokumentuar gjendjen e saj dhe gërvishtjet që kishte në momentin e marrjes.
Por pas kthimit të automjetit, pronari i makinave me qera pretendon se ka gjetur një gërvishtje të re edhe pse makina ishte e mbuluar nga pluhuri.
Për të vërtetuar këtë gërvishtje, ai ka kontrolluar menjëhere videon e bërë para marrjes së automjetit dhe kanë parë se gërvishtja ishte e dukshme edhe në video dhe, për rrjedhojë, kishte qenë aty më herët bashkë me një tjetër gërvishtje.
Ai thotë se kjo nuk ishte e dallueshme në videon fillestare për shkak të pluhurit mbi makinë dhe reflektimit të diellit.
Turistët kanë kundërshtuar përgjegjësinë për dëmtimet por pavarësisht këtyre pamjeve dhe provave atyre iu është kërkuar të paguajnë 200 euro ose të shkonin në një servis automjetesh për të verifikuar dëmin.
Meqenëse do të largoheshin nga Shqipëria të nesërmen, turistët thonë se nuk kishin kohë të prisnin për një verifikim në servis apo të ndiqnin procedura të tjera.
Për këtë arsye dhe faktin se dokumentet e tyre po mbaheshin peng nga pronari i makinave, ata janë detyruar të paguajnë 200 euro për gërvishtjen “e re”.
Turisti thotë gjithashtu se pagesa e qirasë prej 50 eurosh dhe pagesa prej 200 eurosh u kryen në cash, pa iu dhënë faturë apo kupon dhe pa mundësi pagese me kartë.
Në përfundim, turisti ka zgjedhur ta bëjë publike eksperiencën e tij si një paralajmërim për turistët e tjerë që marrin makina me qira në Shqipëri, duke këshilluar që automjeti të fotografohet dhe filmohet në detaje para marrjes, të dokumentohen të gjitha dëmtimet ekzistuese dhe të kërkohet faturë për çdo pagesë.