Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet intensive të dëborés gjatë orëve të natës, ndërsa temperaturat e ulëta dhe erërat e forta kanë vështirësuar lëvizjen në disa zona, duke krijuar edhe ngrica në rrugë.
Situata paraqitet më problematike në zonat malore, ku në lartësitë mbi 800 metra dëbora ka kaluar 20 centimetra. Edhe pse akset nacionale vijojnë të jenë të kalueshme dhe nuk raportohen bllokime, drejtuesit e automjeteve po hasin vështirësi në disa fshatra të njësive administrative Arrën, Kalis, Grykë-Çajë, Shishtavec, Zapod dhe Topojan.
Ndërkohë, reshjet kanë sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve në liqenin e Kukësit. Të dhënat tregojnë se gjatë 48 orëve të fundit ato kanë kaluar 450 metra kub në sekondë, ndërsa niveli i ujit ka kapërcyer kuotën 265 metra.