Të paktën 16 leje zhvillimi, ndërtimi ose rishikimi të kushteve të ndërtimit, të shqyrtuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit në mbledhjet e 17 dhe 30 korrikut dhe 13 gushtit, parashikojnë ndërtesa me 15 kate e më shumë. Pjesa më e madhe e projekteve janë përqendruar në Tiranë, ndërsa një pjesë tjetër shtrihet në zonat bregdetare. Në listë përfshihen disa prej projekteve me lartësitë më të mëdha të miratuara vitet e fundit.
Garda Tower – Tiranë: 43 kate mbi tokë, për objekt banimi, hoteleri dhe shërbime. Për projektin është kërkuar rishikim i kushteve të ndërtimit.
M-21 – Tiranë: godinë shërbimi dhe banimi me 26 kate mbi tokë.
Elite Tower – Tiranë: godinë banimi dhe shërbimi me struktura 16 dhe 24 kate mbi tokë.
Vertical Village – Tiranë: objekt banimi dhe shërbimesh me 8 deri në 23 kate mbi tokë.
Uzina Residence – Tiranë: rezidencë me 16 kate mbi tokë.
Vertical Community – Tiranë: objekt rezidencial dhe shërbimesh me struktura 12, 15, 17 dhe 18 kate mbi tokë.
Scarlet Tower – Tiranë: strukturë me funksione komplekse, shërbim dhe rezidencial, me 12, 13, 14 dhe 15 kate mbi tokë.
Godinë banimi dhe shërbimi – Tiranë: struktura me 10, 12, 14, 15 dhe 16 kate mbi tokë.
Në Tiranë përfshihen gjithashtu Invest Society, me 1 deri në 15 kate mbi tokë dhe katër kate parkim nëntokë, si dhe Elbavo, me struktura 3, 14, 17 dhe 19 kate.
Një nga zhvillimet e reja është Rijetëzimi i Stadiumit “Selman Stërmasi”, pjesë e nismës së qeverisë përmes Korporatës Shqiptare të Investimit. Projekti parashikon një strukturë shërbimi dhe hotelerie me 23 kate dhe 20 kate mbi tokë, si dhe një strukturë shërbimi e banimi me 25 kate dhe 21 kate mbi tokë.
Jashtë Tiranës, Kompleksi rezidencial dhe i shërbimeve në Durrës parashikon struktura me 20-21 kate mbi tokë, ndërsa një godinë banimi dhe shërbimi në Vlorë shkon deri në 16 kate.
Në Spille, Rrogozhinë, projekti “The Wave” parashikon një apart-hotel me 15 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë.
Në Shëngjin, Lezhë, projekti “Duna” parashikon një godinë shërbimi dhe banimi me 1 deri në 15 kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë.
Krahas projekteve shumëkatëshe, vendimet e KKTU përfshijnë edhe investime në infrastrukturë dhe energji, ku janë shqyrtuar projekte për prodhimin e energjisë elektrike, përfshirë hidrocentrale dhe impiante fotovoltaike me kapacitete të ndryshme, deri në dhjetëra megavat.