Në një prej zonave më të dendura dhe të mbingarkuara të Tiranës, aty ku hapësirat urbane janë kthyer në “luks” për banorët, një leje ndërtimi e firmosur nën siglën e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) ka shkaktuar jo pak habi dhe zemërim.

Bëhet fjalë për një kullë 12-katëshe që pritet të mbijë mbi një kolektor në zonën e “Brrylit”, një vendim që ngre pikëpyetje të forta mbi sigurinë teknike dhe transparencën administrative.
Kompania që mban në dorë këtë projekt të diskutueshëm është “Walter Construction”, një subjekt që deri pak kohë më parë mund të konsiderohej një “fantazmë” në tregun e ndërtimit.
E themeluar më 24 prill 2019, “Walter Construction” ka një histori të pazakontë. Pronari i saj, shtetasi Demokrat Valteri, nga Lisi i Matit, e mbajti kompaninë për vite me radhë në statusin “Aktiv”, por pa asnjë lloj aktiviteti ekonomik. Asnjë bilanc, asnjë projekt i realizuar, asnjë qarkullim monetar. Për tre vite me radhë, firma ekzistonte vetëm në letrat e QKB-së.
Megjithatë, fundi i vitit 2022 shënon një pikë kthese të habitshme. Në dhjetor të atij viti, Demokrat Valteri vendos t’i dhurojë 50% të aksioneve të kompanisë së tij një personi tjetër: Edmond Koka, një shtetas nga Durrësi me banim në Tiranë.

Pse një sipërmarrës do t’i dhuronte gjysmën e kompanisë një personi tjetër, pikërisht në momentin kur firma ishte inaktive? Analiza e lëvizjeve të mëpasshme të “Walter Construction” sugjeron se ky ndryshim nuk ishte thjesht një transaksion biznesi.
Menjëherë pas futjes së Edmond Kokës në ortakëri, kompania që deri dje nuk ekzistonte në treg, filloi të merrte hov. Pas një “ekskursioni” ndërtimi në bregdetin e Himarës, firma u rikthye në Tiranë me pretendimin për të ndërtuar një kullë në mes të pallateve ekzistuese te “Brryli”.
Investigimi zbulon se trualli ku është parashikuar kjo kullë 12-katëshe mbart problematika serioze! Ndërtimi është planifikuar të ngrihet mbi një kolektor të ujërave të zeza, duke cenuar sigurinë teknike të zonës dhe infrastrukturën nëntokësore.
Hapësira në fjalë shërbente si sheshpushim për pallatet ekzistuese, duke u kthyer nga një zonë komunitare në një objekt biznesi privat. KKT-ja, me në krye Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, kanë dhënë dritën jeshile për këtë projekt, pavarësisht rreziqeve të dukshme urbane.

Kjo histori e një kompanie që “fjeti” për vite dhe u “zgjua” pikërisht kur nisi projekti i kullës, krijon dyshime të forta se prapa Demokrat Valterit dhe Edmond Kokës mund të fshihen interesa të tjera, ndoshta me lidhje të ngushta pushteti.

Ky nuk është thjesht një rast i një ndërtimi të shëmtuar, por një tregues i mënyrës se si lejet e ndërtimit në Tiranë janë shndërruar në një instrument ku ligji dhe siguria publike kalojnë në plan të dytë, për t’i hapur rrugë përfitimeve të pashpjeguara të subjekteve private.