Një protestë është mbajtur këtë të enjte nga banorët e pallateve në rrugën Dritan Hoxha në afërsi të rrethrrotullimit të Zogut të Zi në Tiranë.
Banorët ditën e djeshme kanë konstatuar se në lulishten që ndodhet përpara pallateve të tyre po bëhen disa shpime, dhe kanë zbuluar se aty do të ngrihet një kullë e re 32 kate.
Për këtë ata protestuan pasi punimet po bëhen pa asnjë lajmërim dhe me pretekstin se po kryhen për kërkime arkeologjike. Sipas protestuesve, kjo kullë e re që do të ngrihet përpara pallateve të tyre, do t’i bllokojë të gjithë aktivitetet dhe do t’i marrë frymën.
Gjatë një interviste për TVA News, ata i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, që ta anulojnë këtë leje ndërtimi dhe të mos i prishin lulishten, e cila është e vetmja mundësi frymëmarrje për ta.