Javë më parë u botua në disa media online një artikull që targetonte Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, dukshëm një artikull i sponsorizuar për t’i hapur rrugë më pas shkarkimit të tij nga detyra. Morali ishte se Tola kishte abuzuar me detyrën për ca litra naftë dhe vendime të tjera, gjë që e kishte konstatuar KLSH-ja në raportet e saj. Dhe kjo qeveri, pavarësisht se e ka ngritur në sistem korrupsionin dhe kapjen e shtetit, kur vjen puna te morali i saj nuk të fal, vepron me dorë të hekurt dhe raportet e KLSH-së i merr shumë seriozisht.
Në fakt lepuri flinte gjetkë: Erzen Tola duhej fshikulluar publikisht për t’i hapur rrugë shkarkimit demonstrativ, sepse Mirela Kumbaro duhej të emëronte Sekretare të Përgjithshme të Ministrisë së Arsimit Jona Sulin, e cila e ka nisur karrierën si sekretare paradhome e Kumbaros. Dhe kështu ndodhi: sapo Erzen Tola u shkarkua, u bë emërimi i Jona Sulit si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Arsimit.
Suli tentoi disa muaj më parë të merrte statusin Trupë e Nivelit Drejtues në Departamentin e Administratës Publike, por dështoi duke u renditur në listën humbëse. Më pas, me ndërhyrjet e duhura politike, befas u bë fituese dhe sapo Erzen Tola u shkarkua, Kumbaro e gradoi në krye të aparatit administrativ të Ministrisë së Arsimit. Natyrisht që nuk është këtu qëllimi t’i bëjmë avokati Erzen Tolës, i cili është një nga shërbyesit e shumtë të pushtetit të Edi Ramës, por çështja është te nepotizmi dhe kleptokracia e ngritur në sistem prej pushtetit të socialistëve.
Kujtojmë që Jona Suli u katapultua nga Mirela Kumbaro dhe Ilir Beqja në drejtorinë e fondeve të huaja dhe koordinimit të ndihmës (SASPAC) për rreth një vit. Sapo plasi skandali i vjedhjeve të Beqjes në këtë institucion, Suli u dërgua me mision prej tij dhe Kumbaros në këtë agjenci për të pasur ata dorën e zgjatur në projektet miliona euro. Më pas ajo u shkarkua nga SASPAC dhe “shëtiti” në disa institucione periferike, si Bashkëqeverisja dhe Shtypshkronja e Letrave me Vlerë, për të gjetur sërish strehë te ‘çifligu’ i Mirela Kumbaros në Ministri të Arsimit.
Emërimet klienteliste dhe nepotizmi nuk janë më një gjë e re në qeverinë e Edi Ramës. Mijëra e rinj marrin rrugët e emigrimit sepse këtu është vrarë gara dhe meritokracia, ndërsa partia-shtet operon si një sekt okult që qarkullon gjithçka së brendshmi dhe vetëm me klientët që i sillen rrotull.