Miratimi i eprorit do të jetë i domosdoshëm për punonjësit e Ministrisë së Arsimit që duan të angazhohen në aktivitete të tjera jashtë detyrës zyrtare. Përpara dhënies së lejes, do të vlerësohet nëse veprimtaria e kërkuar lejohet nga rregullat në fuqi.
Këto përcaktime janë pjesë e Kodit të Etikës së miratuar nga ministrja Mirela Kumbaro, i cili vendos kufij për sjelljen profesionale të punonjësve dhe mënyrën se si ata përfaqësojnë institucionin.
Rregullorja shtrihet edhe jashtë orarit të punës, kur sjellja e nëpunësve mund të ndikojë në imazhin e administratës.
Një ndër ndalimet e përcaktuara në dokument lidhet me përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime politike. Kompjuterët, pajisjet e punës, sistemet teknologjike dhe të dhënat zyrtare duhet të shërbejnë vetëm për detyrat institucionale. Përdorimi i tyre për organizime apo aktivitete elektorale nuk lejohet, në funksion të ruajtjes së neutralitetit politik të institucionit.
Edhe paraqitja në ambientet e punës është përfshirë në rregullat e reja. Punonjësve u kërkohet të shmangin veshjet ekstravagante dhe sportive, si dhe makiazhin e tepruar. Ndërkohë, nuk lejohen veshje apo simbole që bëjnë të dukshme bindjet politike të nëpunësve.
Kodi i kushton rëndësi të veçantë edhe konfliktit të interesit. Vendimet duhet të merren pa u ndikuar nga përfitimet personale apo ndërhyrjet politike, ndërsa punonjësit që gjenden përballë një konflikti të mundshëm interesi duhet të kërkojnë të mos përfshihen në çështjen përkatëse.
Përveç këtyre detyrimeve, dokumenti parashikon masa kundër korrupsionit dhe abuzimit me funksionin publik. Punonjësit nuk mund të kërkojnë apo të marrin dhurata, favore ose përfitime për vete apo për persona të afërt, nëse ato mund të ndikojnë në paanshmërinë e tyre ose të krijojnë dyshime për ndikim në vendimmarrje.
Një tjetër element është mbrojtja e konfidencialitetit për ata që raportojnë shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës. Synimi është që sinjalizimi i rasteve të korrupsionit të mund të bëhet pa cenuar konfidencialitetin e personit që raporton.
Rregullat përfshijnë edhe zhvillimin e takimeve zyrtare.
Sipas dokumentit të siguruar nga TCH, gjatë mbledhjeve me ministren, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e tjerë, telefonat duhet të qëndrojnë të fikur ose pa zë, përveç rasteve kur përdorimi i tyre miratohet nga drejtuesi i takimit.
Për paqartësitë që mund të lindin gjatë zbatimit të Kodit, punonjësit do të kenë mundësi të kërkojnë orientim nga këshilltari i etikës. Ky funksion parashikohet të ndihmojë në parandalimin e shkeljeve dhe në respektimin e standardeve të integritetit brenda institucionit.