Grupimi i tifozëve të kombëtares shqiptare të futbollit “Tifozët Kuq e Zi”, kanë bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ku thonë se Federata Shqiptare e Futbollit po i penalizon për pjesëmarrje në ndeshjet e para eleminatore të Kupës së Botës, ku Shqipëria do të përballet me Anglinë dhe Andorën.
Sipas tyre, vendimi për të mos i dhënë bileta tifozëve që kanë qenë gjithmonë mbështetje e kombëtares, është hakmarrje për kundërshtimin që grupimi bëri disa muaj më parë, kur u vendos zhvillimi i Evropianit të 17-vjeçarëve mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Tifozët Kuq e Zi kritikojnë FShF-në për rritje të çmimit të biletave!
Reagimi i Tifozëve Kuq e Zi:
“Si asnjëherë më parë në këto 21 vite veprimtari të Tifozave Kuq e Zi, jemi lënë pa bileta për ndeshjet e Kombëtares!
Në këto 21 vite, jo rrallëherë TKZ përbënte njerëzit e vetëm që rrinin në shkallët e stadiumit, kur nuk kishte kushte, kur nuk kishte rezultate, ku nuk kishte stadium, ku nuk kishte tifozë, pasi atëbotë përkrahja e Kombëtares konsiderohej marrëzi.
Nëse ekipi kombëtar i futbollit ka pasur një arsye të mos ndihet inferior edhe kur humbja ka qenë e prenotuar, është sepse Tifozat Kuq e Zi kanë qenë gjithnjë aty. Janë ndërruar trajnerë, lojtarë e stadiume, ndërsa të vetmit që kanë qenë të përhershëm pranë ekipit kombëtar kanë qenë Tifozat Kuq e Zi.
Tani në vitin 2025, kur jemi kualifikuar dy herë në Europian, dhe kur ekipi kombëtar ka nisur të korrë rezultate, e këssisoj edhe rritjen e kërkesës për bileta, jemi penalizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Përmes një emaili që kemi pranuar, pasi disa insistimesh, nga ana e zyrtarëve të FSHF-së jemi njoftuar se nuk do të ketë bileta të pararezervuara sikurse ka ndodhur në këto 21 vite, me arsyetimin se dëshirojnë gjithëpërfshirje dhe mundësi edhe për ata që nuk janë pjesë e grupeve tifozerike.
Ky arsyetim përveç që nuk qëndron, nuk është as i sinqertë dhe për më tepër është hakmarrje tipike nga ana e FSHF-së, për kundërshtimet tona ndaj organizimit të kampionatit të përbashkët me Serbinë dhe kur dihet që këta të fundit i kemi edhe në grup, në kualifikueset për botëror.
Pra, me gjithëpërfshirjen e saj FSHF-ja nuk mendoi kur nxori biletat me çmimet e kripura që tejkalojnë edhe çmimin e biletave për finalet e EURO 2024. Për ironi, me gjithëpërfshirje nuk mendoi as kur bëri thirrje për anëtarësim tek klubi i tifozëve, organizëm ky i FSHF-së, e që doli me ofertë për “biletë të garantuar” për anëtarët e këtij klubi. Nuk mendoi as për standardin e shqiptarit të rëndomtë, por togfjalëshin “gjithpërfshirje” e përdori për të sulmuar dhe hakmarrë ndaj TKZ-së që nuk nënshtrohet, nuk i bindet, kjo pasi tribuna jonë është SOLD OUT, ndërsa që tribunat tjera ngelen akoma bosh.
FSHF po bën të njëjtat gabime, dhe mendon se do të ketë rezultat të ndryshëm, por po gabohet rëndë.
Stadiumin dhe përkrahjen ndaj ekipit kombëtar TKZ-së, nuk mund t’ja ndaloj askush, e as FSHF-ja. NE do të jemi të pranishëm aty, do të jemi në Uembli, do të jemi gjithkund për të dhënë mendimin tonë, për të shprehur pakënaqësinë tona. Reagimet tona nuk do të ndalen, ato veçse do të intensifikohen dhe kushdo që gënjehet për të kundërtën me keqardhje por do të zhgënjehet keq.
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!”, mbyllet postimi i Tifozëve kuq e zi”.