'Kur të gjuan me gur një si Frroku'

‘Kur të gjuan me gur një si…

Nga Kastriot Çipi

Ylli Ndroqi është njësoj si El Chapo, i kartelit Sinaloa, bosi më i madh i trafikut të drogave në botë, që ka vrarë 4.000 vetë, ka grumbulluar 4 miliard dollarë pasuri të paligjshme dhe është arratisur dy herë nga burgu. Kështu thotë Frrok Çupi. Madje jo vetëm Ylli Ndroqi, por edhe Francesco Becchetti është njësoj, megjithëse ky i fundit nuk ka asnjë dënim, madje as procedim penal, përkundrazi, ka fituar dëmshpërblim 109 milion euro nga Qeveria Shqiptare.

Dhe meqë Ndroqi dhe Becchetti janë njësoj me El Chapon, patjetër që edhe Sonila Meço duhet të jetë njësoj me aktoren Kate del Castillo, që u angazhua të bënte një film biografik mbi El Chapon.

Del Castillo komunikonte me El Chapon me pseudonimet “E bukura” dhe “Zonja”, ndërkohë që ai ishte arratisur nga burgu. Sot e kësaj dite ajo është nën hetim dhe policia meksikane ka urdhër ta shoqërojë për ta marrë në pyetje, nëse ajo hyn në Meksikë.

Në këtë parodi të atij që mund të ishte një skenar për një El Chapo shqiptar, Frroku nuk na thotë se cilin personazh luan ai. Na thotë vetëm se ka qenë një farë consigliori (njeriu më i besuar i padrinos në hierarkinë e Mafias siçiliane) i Becchettit.

Ky i fundit jo vetëm që i kërkonte mendim për rekrutimet në organizatën e tij mafioze, por e konsideronte kaq të afërt, saqë i ofronte darka me makarona me vaj, hudhër e spec djegës.

Sot e kësaj dite, Frroku nuk ka ndonjë pendesë apo keqardhje, që i ka shërbyer mafiozit Beccheti. Nuk besoj se ka njeri dyshime se Frroku do të kishte qenë i lumtur të drejtonte gazetën e Ndroqit, siç drejtoi gazetën e Becchettit.

Në fakt Frroku nuk merret as me mafiozin Becchetti, as me mafiozin Ndroqi. As me partitë dhe politikanët që përfitojnë para dhe mbështetje prej tyre.

Frroku thotë se ka një parti që ka marrë 170 mijë euro nga një mafioz, për të luftuar kundër shtetit shqiptar, por si gazetar dhe qytetar me standarde morale të larta, nuk e ka denoncuar kurrë e nuk e denoncon as tani këtë fakt, as në prokurori, as në media.

Shënjestra e helmit të tij është Sonila Meço – Kate del Castillo, që ai e quan Lajmëtari, duke na e portretizuar si ndonjë femër fatale, një lloj Kasandre moderne, ose më keq akoma, një lloj Saturni, afërsia me të cilën u shkakton rënien bosëve mafiozë.

Ajo që Frroku nuk thotë është se Ylli Ndroqi nuk ishte në arrati, por në mes të prozhektorëve të elitës së Tiranës. Këto ditë në rrjet po qarkullojnë dhjetëra foto të tij me Ramën, Veliajn, Metën, Bashën e të tjerë.

Frroku nuk na thotë gjithashtu se Sonila Meço nuk ishte e dyshuar për asgjë të paligjshme në lidhje me aferën Becchetti dhe nuk është as sot e dyshuar në lidhje me aferën Ndroqi.

Dhe natyrisht nuk na thotë se në dosjen Becchetti del disa herë emri i Ajola Xoxës, gruas së kryebashkiakut Veliaj.

Saliu ka shumë faje, por faji i tij më i madh quhet Frrok Çupi. Ky ishte mendimi i parë që më erdhi, pasi e detyrova veten të lexoj atë që kishte vjellë ky personazh në (Ku tjetër do t’ia botonin?) Temën e Meros.

Kisha 30 vjet që nuk lexoja asgjë nga Frroku, që të vetmin tipar dallues të stilit ka shkrimin me paragrafë me numra.

Emrin e Frrokut e kam hasur herët, në vitet ’80. Asokohe isha nxënës në shkollë të mesme. Një herë në javë kishim “orën e informacionit politik”, gjatë së cilës duhej t’i provonim mësuesit kujdestar se kishim lexuar gazetat, duke lexuar para klasës konspektime nga shkrime të botuar gjatë javës.

Në “Zërin e Popullit” gjeje rëndom raportime të thata të Frrokut, për sukseset e klasës punëtore në rrethet e Matit e Mirditës, sidomos për tejkalimet e planit në prodhimin e bakrit e kromit. Kurrë nuk lexova një shkrim, që mund të quhej artikull prej tij.

Kështu që lexuesi mund ta marrë lehtë me mend habinë time kur kronisti i kromit dhe bakrit u bë kryeredaktori i parë i gazetës së parë jokomuniste në Shqipëri: Rilindjes Demokratike. Sot e kësaj dite, për mua ka mbetur mister se si u zgjodh Frroku, në vend të, bie fjala, Teodor Kekos apo Mitro Çelës.

Numrin e parë të Rilindjes Demokratike e lexova nga fillimi në fund dhe kështu lexova edhe një shkrim të Frrokut për pulat e Haxhi Lleshit dhe këtu mbaroi marrëdhënia ime me të si gazetar, por jo edhe si personazh.

Në qershor 1991 u krijua Qeveria e ashtuquajtur “e Stabilitetit” dhe Preç Zogaj u bë ministër i Kulturës. Ish-Muzeu i diktatorit Hoxha (Piramida) u vendos të bëhej Qendra Ndërkombëtare e Kulturës dhe drejtori i parë u emërua… Frroku! Ende nuk e kam kuptuar se ç’lidhje kishte Frroku me kulturën, sidomos me kulturën ndërkombëtare.

Atë verë, më qëlloi të dëgjoj Prof. Aurel Plasarin, të fliste në një forum intelektualësh, të mbledhur në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar. E nisi duke thënë se kishte dëgjuar në lajmet e RAI-t, se ishte shpallur konkurs ndërkombëtar për postin e drejtorit të lajmeve të kanalit të dytë (TG2).

“E dëgjova, – tha Plasari, – dhe thashë me vete: Po ky kodosh drejtori i RAI-t s’ka ndonjë shok klase a ndonjë bashkëfshatar për ta bërë drejtor të TG2? Pse duhet të shpallë konkurs ndërkombëtar?” Kjo ishte ironia e hidhur e Plasarit për emërimin e Frrokut në krye të QNK nga ministri Preç Zogaj.

Në ato vite të para të pluralizmit nuk u kuptua pse Frroku nuk u bë deputet i PD, e për pasojë nuk u kuptua as mllefi i tij patologjik me PD.

Në 1997-n, Frroku shkruante se lagja Çole e Vlorës, e kontrolluar nga banda e Zani Çaushit, përfaqësonte lirinë dhe pozonte në fotografi me këtë të fundit dhe trimat e tij. Dhe Frroku, ky Kate del Castillo në version mashkullor, e dinte shumë mirë se kush ishte Zani Çaushi!

Po atë vit, Komisioni Mezini e shpalli të papërshtatshëm për të mbajtur poste publike, për shkak të veprimeve të tij jopublike gjatë diktaturës komuniste, e megjithatë Frroku u bë drejtor i ATSH!

Në këta 22 vjet, personazhi Frrok më ka dalë shpesh para syve, kur mendoja se e kisha harruar, gjithmonë si avokat i qeverisë së radhës.

Pas shumë viteve në shërbim të qeverive socialiste, pas raportit të Komisionit Mezini, pas akuzave indirekte të ish-Presidentit Topi për një gazetar proserb që mban një post shtetërore, ishte pikërisht Tema ku ai boton sot, e cila në vitin 2012 hodhi dyshime mbi arsyet e emërimit të tij nga Berisha në një post të rëndësishëm: drejtor i Qendrës Kombëtare të Arteve. Tema asokohe i ribotoi një shkrim të 1998-s, ku Frroku hidhte helm mbi luftën e UÇK-së, që sapo kishte nisur.

Vetëm gjashtë muaj më pas, Frroku ndodhej në një studio televizive, për të komentuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. Sapo gazetari nga Kosova, Shkëlzen Maliqi, shpalli të dhënat e sondazheve në dalje (exit poll), sipas të cilave PD kishte humbur zgjedhjet, Frroku u hodh përpjetë dhe me paturpësi proverbiale tha: Kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë nga ana e Kosovës!

Këtë herë nuk parashikova fundin e karrierës së Frrokut. E dija se do të riciklohej sërish si rilindas. Dhe Frroku nuk më zhgënjeu. Në këta vite të fundit ai ka vazhduar të bëjë vetëm atë që di: të lëpijë e të pështyjë. Por më duhet ta pohoj se vjellja e tij e fundit ndaj Sonila Meços kalon çdo cak të imagjinatës.

Frroku sillet si burrat dhe gratë e këqija të Bagerisë, fshatit siçilian në filmin “Malena”.

Burrat masturboheshin duke menduar Malenën. Gratë e urrenin Malenën pikërisht për këtë fakt. As burrat e as gratë nuk bënë ndonjë përpjekje për të luftuar fashizmin, e më pas pushtimin nazist. Por ditën e çlirimit të fshatit nga amerikanët, frrokat u lëshuan si kafshë të egra mbi prenë e tyre, duke rrahur barbarisht e duke i prerë flokët Malenës, në mes të fshatit, ndërkohë që frrokët bënin sehir.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit