Kurti: Jemi miq, por nuk pajtohemi për çdo gjë me SHBA

Kurti: Jemi miq, por nuk pajtohemi për…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mira, por kjo sipas tij nuk do të thotë që palët të bien dakord për cdo vendim. Ai theksoi se Qeveria e ka për detyrë ta respektojë Rregulloren e Bankës Qendrore. “Unë nuk kam mbajtur qëndrimin e asnjë shteti tjetër, por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur për raportet tona. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë i mirë, ne jemi partnerë, aleatë, miq, por kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka, mirëpo në këtë aspekt kemi një Rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka për detyrë ta mbështesë”, tha ai.

Kurti bëri të ditur edhe detaje nga takimi me kryediplomatin europian Borrell ndërsa u shpreh i gatshëm të shkojë në Bruksel për të firmosur marrëveshjen, nëse e ftojnë. “Unë këtë e bëj për BE-në, por e bëj edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë. Sa për mua, marrëdhëniet do të normalizoheshin qysh në vitin e kaluar, por nëse nuk është bërë në shkurtin dhe marsin e vitit 2023, e mund të bëhet në shkurtin e marsin e vitit 2024, pse jo”, shtoi Kurti.

Vendimi i Bankës qëndrore të Kosovës për të hequr valutën serbe nga përdorimi ka rritur sërish tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit ndërsa është kundërshtuar dhe ka nxitur gjithashtu kritika nga aleatët ndaj qeverisë së Kosovës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit