Kurti kritikon PDK-në dhe LDK-në për keqinterpretim të vendimit të Kushtetueses

Kurti kritikon PDK-në dhe LDK-në për keqinterpretim…

Albin Kurti i akuzon PDK-në dhe LDK-në se kanë keqlexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kanë keqinformuar opinionin publik për përmbajtjen e tij

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se takimi me krerët e partive politike kishte vlerë, pasi sipas tij, u qartësuan shumë paqartësi që ishin krijuar në opinion.

Gjatë deklaratës për media, Kurti shprehu shqetësimin e tij se partitë opozitare, PDK dhe LDK, po e interpretojnë gabimisht dhe publikisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai sqaroi se vendimi nuk e cilëson antikushtetues komisionin për votimin e fshehtë dhe as procesin e votimit të tillë.

“Kushtetuesja nuk thotë se komisioni për votim të fshehtë është antikushtetues dhe as që kryesuesi Avni Dehari ka bërë ndonjë shkelje,” theksoi Kurti.

Duke folur për kandidaturën e Albulena Haxhiut, ai tha se kundërshtimi i opozitës për votimin e fshehtë i jep përshtypjen se ndoshta ajo i ka 61 votat e nevojshme. “Nuk e di nëse i ka, por refuzimi i votimit të fshehtë më bën të dyshoj se ndoshta i ka,” shtoi ai.

Kurti u ndal edhe tek rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku sipas tij, opozita u ndëshkua qartë nga qytetarët. “Janë katër vjet në opozitë, e populli i la me 24 dhe 20 deputetë. Tani kërkojnë të ndryshojë ai që fitoi. Kjo nuk është e drejtë,” u shpreh ai.

I pyetur për skenarin pas 30 ditësh në rast të mungesës së konstituimit të Kuvendit, Kurti tha se përgjigjen duhet ta japë Gjykata Kushtetuese. “Shkoni atje dhe pyesni. Kryeministri nuk mund ta dijë këtë. Ata që japin aktgjykimin, duhet të sqarojnë edhe pasojat,” tha ai.

Në lidhje me takimin politik, Kurti zbuloi se kishte ofruar dy alternativa kompromisi në përpjekje për të zgjidhur situatën. “E para ishte që, nëse Albulena Haxhiu nuk merr 61 vota me votim të fshehtë, të tërhiqet. Këtë ajo e ka thënë vetë, dhe e respektoj si qëndrim personal,” u shpreh ai.

Sipas Kurtit, alternativa e dytë konsistonte në arritjen e një marrëveshjeje politike për nenin 67 të Kushtetutës, përfshirë një pakt për emërimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, me mundësinë që përfaqësuesit e opozitës të jenë pjesë e komisionit për votim të fshehtë.

Të dy këto propozime, sipas tij, u refuzuan nga liderët opozitarë. Ai tha se Kuvendi si institucion është përgjegjësi e të gjithë deputetëve dhe jo vetëm e partisë fituese.

Kurti përmendi se Gjykata Kushtetuese ka përfshirë në aktgjykim tre koncepte kyçe: “bashkëpunim në mirëbesim”, “konsultim konstruktiv” dhe “konsensus ose kompromis”. “Ne i kemi provuar të gjitha këto. Konsultim pati, mirëbesim gjithashtu, por konsensus nuk kishte,” përfundoi ai.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit