Kjo është pyetja që mundon çdo ditë mijëra qytetarë e drejtues mjetesh që përballen me kaosin total në rrugët e kryeqytetit. Përgjatë javëve të fundit, gjatë protestave të njëpasnjëshme në Tiranë, dhjetëra semaforë u dëmtuan dhe u nxorën tërësisht jashtë funksionit. Por, megjithëse kanë kaluar ditë të tëra, reagimi i institucioneve përgjegjëse është vetëm një: heshtje e plotë dhe pasivitet skandaloz.
A duhet të pritet ndonjë tragjedi apo të shkojë dikush tjetër pas hekurave që Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme të lëvizin nga vendi e të bëjnë punën për të cilën paguhen me taksat e qytetarëve?
Në këtë kaos të krijuar, përgjegjësia direkte bie mbi dy institucione kryesore: Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Brendshme (nëpërmjet Policisë së Shtetit). Nga njëra anë, Bashkia ka detyrimin ligjor për mirëmbajtjen teknike, zëvendësimin dhe garantimin e sinjalistikës rrugore në territorin e saj. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit dhe Policia Rrugore kanë përgjegjësinë kushtetuese për ruajtjen e rendit, garantimin e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e trafikut kur sinjalistika automatike dështon. Mosveprimi dhe vonesat e tyre nuk janë thjesht neglizhencë administrative, por cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë publike.
Akset kryesore të qytetit dhe kryqëzimet më të ngarkuara janë kthyer në një “xhungël” ku vlen vetëm ligji i më të fortit. Mungesa e sinjalistikës ndriçuese ka shkaktuar një kaos të vërtetë në trafik, duke e kthyer kalimin e çdo kryqëzimi në një lojë rreziku. Ndonëse në disa kryqëzime kryesore shohim praninë e efektivëve të Policisë Rrugore, në shumë zona të tjera problematike nuk ka asnjë polic. Më keq akoma, në mjaft nyje urbane policët qëndrojnë vetëm pak minuta sa për të kaluar radhën dhe largohen, duke e lënë trafikun sërish në mëshirë të fatit.
Më e rënda nga të gjitha është pasiguria e përditshme për kalimtarët. Fëmijët, të moshuarit dhe këmbësorët që tentojnë të kalojnë rrugën në vijat e bardha përballen me mjetet që nuk ndalojnë, duke rritur në mënyrë alarmante rrezikun e aksidenteve me pasojë jetën. Çdo sekondë që këta semaforë mbeten të fikur apo të shkatërruar dhe mbikëqyrja nga Policia e Shtetit mbetet pjesore e sipërfaqësore, jeta e qytetarëve vihet në rrezik direkt.
Është e pafalshme që përballë këtij prioriteti absolut për sigurinë publike, autoritetet zgjedhin të bëjnë sehir. Qytetarët e Tiranës nuk mund të jenë peng i papërgjegjshmërisë zyrtare, semaforët duhet të rregullohen menjëherë, dhe policia duhet të jetë e pranishme 24/7 aty ku rreziku është më i madh, përpara se të jetë tepër vonë!