Kanë kaluar dy ditë nga publikimi dhe policia e Shtetit nuk ka asnjë reagim në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur në Golem, në datë 18 gusht rreth orës 23:30, ku një i ri është dhunuar nga një person, i cili, sipas tij është prezantuar si punonjës policie.
Sipas denoncimit i riu po largohej nga vendi i punës, kur iu afrua një person i cili deklaroi se ishte punonjës policie dhe i kërkoi të kontrollonte çantën e tij. Mirëpo, denoncuesi dyshoi për legjitimitetin e personit dhe i kërkoi atij që të tregonte një mjet identifikimi.
Në vend që të paraqiste një dokument, individi në fjalë filloi ta godiste të riun dhe tentoi t’i merrte çantën me dhunë. I gjithë incidenti u regjistrua në video nga një kalimtar i rastësishëm që ndodhej aty pranë në momentin e ngjarjes.
Këto ditë kemi qenë në pritje të një reagimi nga policia, por askush nuk është kujtuar për rastin. Jemi të vetëdijshëm që edhe turistët duan ujë, por së fundmi ka qenë disi më freskët dhe policia mund të fokusohej për sqarimin dhe zgjidhjen e ngjarjeve të tilla.