Kush i fitoi zgjedhjet në Serbi dhe qasja e tij për shqiptarët?

Kush i fitoi zgjedhjet në Serbi dhe…

Pas më shumë se një dekade në qendër të pushtetit, Aleksandër Vuçiçi përballet me sfidën më të madhe politike, ndërsa Lista Studentore, e dalë nga protestat kundër korrupsionit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale, ka siguruar një fitore historike. Në krye të listës qëndron Ilija Srdanoviç, kardiolog dhe profesor universitar, por pyetja kryesore është nëse kjo lëvizje do të arrijë ta kthejë revoltën qytetare në një qeverisje të qëndrueshme. Rënia e mbështetjes për Vuçiçin do të ishte një goditje për një pushtet të dominuar prej vitesh nga e njëjta forcë politike, por kush do ta drejtojë realisht Serbinë pas tij, Srdanoviçi, një kandidat tjetër për kryeministër apo një koalicion mes forcave të bashkuara kundër presidentit?

Për shqiptarët, shqetësimi kryesor lidhet me faktin se ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës kombëtare serbe, Srdanoviçi ka deklaruar se qëndrimi i listës për Kosovën mbështetet në Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të saj. Lëvizja nuk ka premtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

Një tjetër pikëpyetje lidhet me shqiptarët në Luginën e Preshevës, të drejtat e tyre dhe përfaqësimin në institucionet serbe. Ndërsa Koalicioni Shqiptar synon të sigurojë përfaqësim parlamentar, ende nuk ka garanci se një qeveri e re do të ndërmarrë hapa konkretë për të drejtat gjuhësore, zhvillimin ekonomik dhe trajtimin e barabartë të shqiptarëve. Lista Studentore ka fituar mbi një platformë kundër korrupsionit dhe për reformimin e institucioneve, por qëndrimet e saj për Kosovën, Rusinë dhe çështjet kombëtare nuk tregojnë ende një shkëputje të qartë nga disa prej politikave të ndjekura nga Vuçiçi. A do të jetë Serbia pas Vuçiçit një vend më demokratik edhe në raport me shqiptarët, apo do të ndryshojë pushteti pa ndryshuar qëndrimi ndaj Kosovës? Për Prishtinën dhe Tiranën, përgjigjja nuk do të vijë nga rezultati zgjedhor, por nga vendimet e qeverisë së re.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit