Këtë javë, fatin e Erion Veliajt, i cili po numëron ditët në qeli që prej shkurtit 2025, e kanë sërish në dorë togat e zeza të Gjykatës së Lartë. Pasi Gjykata Kushtetuese e kapi sistemin “me preshë në dorë” për fshirje faktesh e arsyetime të çaluara, dosja u kthye mbrapsht për rigjykim.
Kryebashkiaku i Tiranës akuzohet nga SPAK për korrupsion në 9 episode, fshehje pasurie dhe larje parash përmes OJF-ve të bashkëshortes. Por se sa do të peshojnë këto akuza, e vendosin pikërisht tre gjyqtarët e mposhtëm:
-
Sandër Simoni (Relator): Ish-kreu i Krimeve të Rënda, i cili njihet si lojtar i vjetër i sistemit. Nëpër korridore zhirojnë thashetheme se e ka kërkuar vetë këtë dosje. Të jetë vallë thjesht dëshirë për të bërë drejtësi, apo një lëvizje taktike për të grumbulluar “pikë” përpara garës për Këshillin e Lartë Gjyqësor?

-
Gent Shala: Gjyqtari me CV-në më “frenetike” kur vjen puna te vendimet që i japin frymëmarrje pushtetit. Është i njëjti që dënoi Ervin Salianjin për dosjen “Babale”, shpëtoi nga arresti i shtëpisë ish-drejtoreshën e AKSHI-t dhe mbylli çështjen e anëtarit të Vetingut. Qëndrimi i tij për Veliajn do të jetë barometri më i saktë për të kuptuar se nga fryjnë sot erërat e Qeverisë.

-
Valbon Çekrezi: Ish-gjyqtari i Durrësit që pa dashje i dha shkak Edi Ramës të shpallte aksionin e famshëm “KÇK” në vitin 2019, pasi liroi zyrtarët e Hipotekës. Këtë herë, Çekrezi ka në dorë peshojën e vetë kryeqytetit.

Ndërsa Veliaj vazhdon ankohet nga qelia se pa të në timon po bllokohen punët e Tiranës, mbetet për t’u parë nëse kjo trupë do t’i japë “dritën e gjelbër” për t’u kthyer në zyrë, apo do ta lërë kryeqytetin të menaxhohet ende nga larg.