
Një tjetër episod i publikuar pak ditë më parë goditi Parkun Kombëtar të Vjosës, të konsideruar lumi i fundit i egër në Evropë.
Një rrjedhje e konsiderueshme nafte bruto, e përshkruar nga ekspertët si përroi i zi, përfundoi për të disatën herë në ujërat e mbrojtura të lumit, duke shkaktuar dëme serioze në biodiversitetin e zonës. Pamjet e publikuara nga aktivistët e huaj tregojnë kafshë të ngordhura dhe shtresa të trasha nafte që mbulojnë brigjet e lumit.
Kjo çështje është mbyllur me Policinë e Vlorës që ka vënë nën hetim Përparim Memaj, përgjegjës i sektorit të dekantimit të naftës në fshatin Gorishtë, një stacion që administrohet nga kompania Albpetrol. Rrjedhja dyshohet të ketë ardhur nga përpunimi i naftës në këtë stacion dhe është shpërndarë me shpejtësi drejt lumit.
Prej disa javësh, ambientalistë vendas dhe të huaj paralajmërojnë për pasoja katastrofike në ekosistemin e Vjosës. Aktivisti Joshua David Lim, i njohur për dokumentimin e lumenjve të egër, e ka përshkruar situatën si “një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.
Ngjarja vjen ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë aplikuar për ta përfshirë Parkun Kombëtar të Vjosës në listën e rezervave të biosferës të UNESCO-s, duke ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi menaxhimin dhe mbrojtjen e tij.