Kush po i helmon qentë e rrugës në Korçë?

Kush po i helmon qentë e rrugës…

Qentë e rrugës shpesh kthehen në shqetësim për qytetarët pasi nga mungesa e vaksinimit ndodh që ata të tregohen agresivë dhe t’i sulmojnë!

Gjëja e duhur për tu bërë në raste të tilla, është që bashkitë e qyteteve ku këto kafshë janë të shumta në numër, të krijojnë mjedise për strehimin e tyre ose t’i vaksinojnë. Por edhe kur bëhen përpjekje në këtë drejtim, ato dështojnë!

Kujtojmë këtu rastin e qenve në qytetin e Kukësit, ku ish-kryebashkiaku Safet Gjici vitin që shkoi u shfaq në një skandal seksual, që pikënisje kishte një tender për rehabilitimin e qenve. Prej qershorit 2023 Gjici humbi mandatin e tij të kryetarit të bashkisë që e rifitoi në zgjedhjet lokale të 14 majit, dhe vijon të qëndrojë pas hekurave.

Tashmë qentë e rrugës janë kthyer problem në qytetin e Korçës, ku si duket asnjë masë nuk është marrë nga bashkia për t’i vaksinuar ose gjetur një strehë për ta. Nga raportimet e fundit dhe denoncimet e qytetarëve, mësohet se në kryeqendrën e juglindjes së vendit është gjetur një tjetër zgjidhje mjaft e keqe. Qentë po helmohen!

Ende nuk dihet kush janë autorët e kësaj vepra dashakeqëse ndaj katërputroshëve, por mësohet se përveç qenve të rrugës po helmohen dhe ata të shtëpisë. 5 kafshë për të cilët kujdeseshin banorët e lagjes kanë ngordhur pranë lulishteve të unazës, ndërkohë që disa qen shtëpie janë dërguar te veterinerët për kontroll pasi kanë shfaqur shenja helmimi.

Veterinerët tregojnë se helmimi është bërë me fotoksinë, lëndë helmuese e cila mund të blihet në farmaci pa recetë në formën e pilulave. Kjo gjë mund të konsiderohet kriminale, si nga ana e farmacistëve që e shesin por dhe personave që e përdorin për të helmuar qentë. E gjitha pasi sallami ose mishi që hidhet në lulishte për të helmuar qentë, mund të gjendet nga fëmijët që luajnë ose nga personat endacakë që nuk kanë një shtëpi.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, asnjë reagim nuk ka pasur nga bashkia e Korçës ose institucionet përgjegjëse, teksa duhet theksuar se kjo vepër konsiderohet kriminale.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit