Kushtetuesja pezullon votimin e paktit Rama-Meloni

Kushtetuesja pezullon votimin e paktit Rama-Meloni

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për të pezulluar përkohësisht votimin në Kuvend të marrëveshjes për emigrantët që do të vijnë nga Italia në Lezhë. Disa përfaqësues të opozitës dërguan një kërkesë që Kushtetuesja të ndalojë miratimin e marrveshjes Rama-Meloni, pasi ka paqartësi dhe shkelje ligjore. Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore të vendit. Kështu, Kushtetuesja ka lënë për shqyrtim këtë kërkesë nga përfaqësuesit e opozitës për më 18 janar, deri atëherë votimi në Parlament nuk mund të bëhet.

Më herët Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin për studentët e mjekësisë të cilët bashkë me përfaqësuesit e opozitës dërguan një padi. Në këtë rast, Rama nxitoi të miratonte ligjin në seancën e fundit parlamentare në muajin korrik teksa në tetor studentët nisnin mësim. Duke pasur komoditetin e shumicës parlamentare, Rama është në gjendje të krijojë dhe miratojë ligje pa pasur nevojë të pyes shqiptarët, e aq më pak deputetët e forcave të tjera politike.

‘Zgjimi’ i Gjykatës Kushtetuese duke kundërshtuar, qoftë përkohësisht, ligjet që duan të kalojnë në Parlament, është një shenjë e mirë e funksionimit të demokracisë. Kushtetuta në hyrje të saj citon “Ne, Populli i Shqipërisë, vendosim këtë Kushtetutë”, dhe nuk thotë ne deputetët e Parlamentit, apo ne qeveritarët vendosim. Për më tepër që Shqipëria është ndër vendet e vetme në botë ku populli nuk ka të drejtë të shprehet nëpërmjet referendumeve.

Marrëveshja Rama-Meloni është kundërshtuar edhe në parlamentin italian ku Giorgia Meloni është kritikuar nga deputetë për shkak se marrëveshja shkel ligjet dhe konventat europiane, ku Italia bën pjesë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit