Ky është biznesmeni italian Edoardo Sarchi që u vra sot në Tepelenë

Ky është biznesmeni italian Edoardo Sarchi që…

Personi në foto është  44-vjeçari italian Edoardo Sarchi, i cili u gjet i vrarë në zonën e quajtur Dilan, mes Nivicës dhe Salarisë, pak pas mesnatës.

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Në komisariatin e Gjirokastrës janë shoqëruar katër persona: Eqerem Braçi, dy djemtë e tij, Daniel dhe Gazmend Braçi, si dhe një person i katërt, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Paraprakisht dyshohet se grupi kishte dalë gjatë natës për gjueti, pasi kishte qëndruar më parë në shtëpinë e Eqerem Braçit në Salari. Katër të shoqëruarit kanë dhënë dëshmi kontraditore nga njëri-tjetri. Disa thanë se panë italianin të vdekur në rrugë, ndërsa të tjerë se ishte plagosur dhe vdiq në duart e tyre.

Në vendngjarje u gjetën dy armë gjahu, të cilat janë dërguar për ekzaminim, si dhe dy automjete: një Volkswagen në pronësi të Sarchit dhe një Land Rover Defender në pronësi të njërit prej të shoqëruarve. Mjeti Land Rover kishte goma të dëmtuara, por nuk dihet nëse është për shkak të plumbave, pasi nuk janë gjetur gëzhoja. Shenjat e gjakut pranë Land Rover tregojnë se Sarchi është lëvizur nga vendi ku është qëlluar.

Edoardo Sarchi ishte pronar i një fabrike tullash në Tiranë, në të cilën ortak ishte edhe Eqerem Braçi. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar nëse vdekja e tij ka qenë rezultat i një aksidenti gjatë gjuetisë apo një vrasjeje e qëllimshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit