“Ky person më vodhi portofolin në autobus, jam shtatzanë dhe s'e ndiqja dot”

“Ky person më vodhi portofolin në autobus,…

Një grua shtatzënë ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania se i është vjedhur portofoli teksa po hipte në një autobus në rrugën e Elbasanit, në Tiranë.

Sipas denoncueses, ajo e ka ndjerë momentin kur personi i ka marrë portofolin dhe ka zbritur nga autobusi për ta ndjekur, por hajduti është larguar me vrap. Gruaja thotë se, për shkak se ndodhet në muajt e fundit të shtatzënisë, nuk ka mundur ta ndjekë.

Ajo tregon se në portofol nuk kishte shumë para, por kishte dokumente të rëndësishme, mes tyre kartën e identitetit, patentën dhe kartat bankare.

“Ju doli vjedhja kot se s’kisha lekë, po kisha dokumentat, patentë, kartë identiteti, banke. Vetëm stresi që kalova”, shprehet ajo.

Gruaja ka dërguar edhe një fotografi të personit që pretendon se i ka marrë portofolin, të cilën thotë se e ka shkrepur teksa ai largohej. Ajo shpreson që publikimi i pamjes të ndihmojë në identifikimin e tij ose që dikush të gjejë portofolin dhe t’ia kthejë.

“Ju lutem, e publikon se mbase e hedh portofolin diku”, shkruan denoncuesja, duke theksuar se shqetësimi i saj kryesor janë dokumentet, pasi nxjerrja e tyre nga e para do t’i shkaktonte vështirësi të tjera në një periudhë kur ndodhet pranë lindjes.

Sipas saj, ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, pikërisht në momentin kur po hipte në autobus në rrugën e Elbasanit.

Nëse dikush e njeh personin në fotografi ose ka gjetur portofolin, mund të kontaktojë redaksinë e JOQ Albania.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit