SPAK ka përfunduar hetimet pasurore ndaj Nikolin dhe Klevent Gjolenës dhe ka kërkuar konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, me një vlerë aktuale tregu që kalon 2 milionë euro.
Kërkesa për konfiskimin e pasurive është depozituar më 6 nëntor 2026 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit pasuror nr. 5 të vitit 2025. Në këtë proces janë përfshirë Nikolin Gjolena, Klevent Gjolena dhe gjashtë persona të tjerë të lidhur me ta.
Hetimi pasuror lidhet me dosjen e trafikut të 485.5 kilogramëve kokainë, të sekuestruara më 24 nëntor 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Lënda narkotike ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e cila kishte mbërritur nga Kolumbia në Shqipëri.
Gjatë hetimeve dhe ekspertimit kontabël, SPAK ka evidentuar pesë transferta monetare në vlerën 42.942 dollarë dhe 404.733 euro. Sipas prokurorisë, këto transferta janë kryer në emër të familjarëve të personave nën hetim, ndërsa paratë kanë ardhur nga vende të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve, të konsideruara si parajsa fiskale.
Dyshimet e SPAK lidhen me pamundësinë e Nikolin dhe Klevent Gjolenës, si dhe personave të lidhur me ta, për të justifikuar me burime të ligjshme financiare krijimin e pasurive të evidentuara.
Në listën e pronave për të cilat kërkohet konfiskimi përfshihen 3 apartamente dhe 2 garazhe në Tiranë, si dhe 3 njësi tregtare e 8 apartamente në zonën e Plazhit në Durrës.
Vlera e këtyre pasurive në momentin e lidhjes së kontratave llogaritet rreth 1 milion euro, ndërsa me çmimet aktuale të tregut ajo tejkalon 2 milionë euro.
Kujtojmë se Nikolin Gjolena u shpall fajtor nga Gjykata e Posaçme më 26 qershor 2024 dhe u dënua përfundimisht me 11 vite e 4 muaj burgim. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 30 dhjetor 2024.