Lajm i mirë nga Turqia: Kosta Grillo e kalon rrezikun për jetën pas ndërhyrjes me qeliza

Lajm i mirë nga Turqia: Kosta Grillo…

Analisti i njohur sportiv, Ervin Baku, ka dhënë këtë të diel lajmin e mirë për kolegun dhe mikun e tij Kosta Grillo, i cili përpara pak ditësh ishte në rrezik për jetën dhe po kurohet në një spital në Turqi nga Covid-19.

Baku shkruan se ka komunikuar me vetë Grillon, i cili këtë mëngjes është zgjuar më i rikuperuar, pas ndërhyrjes së mjekëve me qelizat staminale.

“Një lajm i mirë na vjen këtë mëngjes nga Stambolli. Kolegu, miku, vëllai, Kosta Grillo duket se ka marrë kthesën e madhe për mirë… Lavdi Zotit!

Mjekimi me qelizat e reja duket se po jep frutet e tij. Komunikimi i tij është shumë normal, me një çehre shumë të mirë të fytyrës. Për herë të pare pas 10 ditësh ka kërkuar për të ngrënë… Mjekët e spitalit i kanë raportuar analizat e gjakut dhe ato kanë dalë shumë mirë.

Trupi po rikthehet drejt normalitetit… Beteja tani do të fokusohet te rikuperimi i mushkërive. Pra të punohet më pak me aparatet e oksigjenit dhe të rikuperohen mushkëritë.

– Jam shumë mirë, i ka thënë Kosta sot doktoreshës. Dua të kthehem…

– Ku do shkosh ti? i është përgjigjur ajo… Është rrugë e gjatë… Durim!

Të dashur miq, Faleminderit për lutjet tuaja! Zoti ju bekoftë! Vazhdoni ju lutem të luteni!

Faleminderit ju që kontribuat financiarisht! Të gjithë ata/ato që mund të kontribuojnë, ta bëjnë ju lutem. Kohën e qëndrimit të Kostës në spital askush nuk e di…

Kam dhe një fjalë për ata/ato, shumë të paktë, që e mallkuan dhe i uruan më të keqen… Zoti ju bekfotë edhe ju! Zoti ju ruajtë trutë e kokës… Sepse ju nuk e njihni fare fare Kosta Grillon… Mësojeni se Kosta Grillo është jetëgjatë… Sepse Zoti i mbron njerëzit e mirë dhe të pastër!”, shkruan gazetari Baku.

Image
Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit