Lajmet e rreme alarmojnë Shkodrën se do të rrëmbehet një fëmijë

Lajmet e rreme alarmojnë Shkodrën se do…

Pas shumë denoncimeve të bëra nga prindërit në qytetin e Shkodrës, se një grup prej pesë personash qarkullonin me një furgon dhe rrëmbenin fëmijë në shkollat e qytetit, ka reaguar policia.

Në deklaratën sqaruese, uniformat blu bëjnë me dije se pretendimet e prindërve janë të pavërteta. Sipas Policisë, pas hetimeve të kryera ka rezultuar se automjeti tip furgon i pretenduar nga prindërit, të jetë një automjet që përdoret për transportin e fëmijëve. Drejtuesit e këtij fugroni thotë policia, janë të punësuar nga institucionet arsimore për transportin e fëmijëve.

Në denoncimet që kanë ardhur nga qytetarë në redaksinë e TVA, pretendohet se një grup prej pesë personash qarkullojnë me një automjet në shkollat fillore të qytetit të Shkodrës, ku rrëmbejnë fëmijë të cilët më pas përdoren për trasplant organesh. Në bisedat e dërguara nga prindërit, shfaqen edhe grupe të prindërve dhe mësuesve në platformën ‘WhatsApp’, ku mësuesit i kërkojnë prindërve që në rast se do të paraqitet për të marrë fëmijën daja, tezja, halloja ose xhaxhai i fëmijës, prindërit fillimisht duhet të njoftojnë mësuesit

Njoftimi i Policisë:

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër

Në lidhje me një lajm që qarkullon në disa media lokale dhe rrjete komunikimi, në qytetin e Shkodrës, për një automjet furgon me të cilin pretendohet se do të rrëmbehej një fëmijë, ju sqarojmë se ky lajm është i pavërtetë.

Pasi kanë marrë dijeni për këtë lajm, strukturat hetimore të DVP Shkodër kanë kryer të gjitha veprimet hetimore nga të cilat ka rezultuar se automjeti në fjalë shërben për transportimin e nxënësve dhe se drejtuesi i automjetit është i punësuar nga institucioni përgjegjës.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për mediat dhe qytetarët që të mos shpërndajnë lajme të tilla që përhapin panik te prindërit dhe fëmijët, si dhe në çdo rast nevoje për informacion apo për denoncim, të telefonojnë në numrin 112 ose të paraqiten në ambientet e Policisë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm, konform ligjit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit