Lajmi i fundit/ Përplasja e ashpër në kufi, vjen hakmarrja greke ndaj Turqisë

Lajmi i fundit/ Përplasja e ashpër në…

Sipas të dhënave të mbledhura nga DW dhe ekipe ndërkombëtare investigative autoritetet greke dëbojnë refugjatë në mënyrë të paligjshme.

“Eja me ne se ne do t’ju pajisim me dokumente të reja,” i tha një polic grek Bakhtjarit një të mërkurë në mëngjes në fund të prillit. 22-vjeçari afgan besoi se e arriti ëndrrën e tij për të filluar një jetë të re në Evropë. Por në vend të kësaj, ai pësoi një goditje të rëndë.

Dy muaj më parë, Bakhtjari kishte kapërcyer lumin Evros, kufirin natyror midis Turqisë dhe Greqisë që shumë refugjatë përpiqen ta kalojnë për të arritur në Bashkimin Evropian. Ai u regjistrua në Diavata, një kamp refugjatësh në periferi të Selanikut, qyteti i dytë më i madh në Greqi. Menjëherë pas arritjes ai u regjistrua në policinë greke. Një fotografi e dokumentit mban datën: 12 shkurt 2020. Regjistrimi në polici është hapi i parë në procedurën e azilit. Por Bakhtjari nuk qe në gjendje të bënte kërkesë zyrtare për azil sepse shumica e zyrave ishin të mbyllura për shkak të Coronës.

Bakhtjari tregon se pasi arriti në polici atë dhe të tjerë i çuan me një mikrobuz përsëri në kufirin greko- turk. Më parë atij dhe të tjerëve u kishin marrë sendet personale si dhe celularët.

Për shkak të pandemisë së Coronës kufiri mes Greqisë dhe Turqisë është i mbyllur dhe proceset zyrtare të dëbimit të refugjatëve janë ndërprerë.

Shumë viktima dëbimesh ilegale

Historia e Bakhtjarit nuk është një rast i izoluar. Ky është përfundimi i një hulumtimi të përbashkët të DW, gazetës holandeze “Trouw”, organizatës jofitimprurëse Lighthouse Reports, e cila është e specializuar në gazetarinë investigative, dhe rrjetit të pavarur investigativ për kontrollin e fakteve Bellingcat. Grupi arriti të bisedonte me Bakhtjarin dhe dhjetë refugjatë të tjerë të rinj në Turqi dhe të verifikonte që pas një qëndrimi në Greqi ata tani ndodhen në Turqi. Ata thonë se autoritetet greke i kanë dëbuar kundër vullnetit të tyre.

Deklaratat e tyre të bëra pavarësisht nga njëri-tjetri tregojnë për një model të qartë. Të gjithë të prekurit janë meshkuj, nën 30 vjeç dhe vetëm. Shumica e tyre vijnë nga Afganistani, disa nga Pakistani dhe Afrika e Veriut. Ata janë arrestuar ose në kampin Diavata ose janë kapur rastësisht në afërsi të tij nga policia e zonës.

Së bashku me partnerët mediatikë grupi i DW-së  u takua dhe intervistoi disa dëshmitarë okularë në Greqi dhe Turqi, mblodhi dokumente të policisë Greke dhe gjeti një zinxhir provash, nga kampi i refugjatëve në Diavata deri në rrugët e Stambollit. Me ndihmën e materialeve nga burime të hapura dhe postimeve në media sociale që tregojnë kohën kur janë bërë fotografitë në Greqi, grup qe në gjendje të përcaktonte pozicione gjeografike dhe të verifikonte në parim dëshmitë.

Autoritetet greke i hedhin poshtë pohimet si të gabuara

Vassilis Papadopoulos, Presidenti i Këshillit Grek të Refugjatëve dhe ish-zyrtar i Shërbimit Grek të Emigracionit, sheh një model të qartë: “Makinat e policisë vijnë në kamp dhe zyrtarët kryejnë një kontroll të shpejtë të atyre që nuk janë regjistruar ende. Ata u kërkojnë dokumentet, më pas i arrestojnë ata dhe u thonë që duhet të vijnë në komisariat për verfikimin e dokumenteve të tyre ose se do t’u lëshojnë dokumente të reja. Por në vend të kësaj, ka dyshime dhe akuza se se ata i kthejnë në Turqi “. Nëse këto dyshime janë të vërteta ato bëhen pa ndonjë bazë ligjore dhe procedurë zyrtare dëbimi”.

Kurse Ministria greke e Migracionit dhe e Azilit thotë se këto akuza nuk janë të mbështetura. Zëvendësministri Giorgos Koumoutsakos i tha DW: “Akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut nga forcat greke të sigurisë janë të fabrikuara, false dhe nuk mund të vërtetohen”.

Greqia ka mbyllur kufijtë

Situata në kufirin turko-grek është tensionuar jashtëzakonisht që kur Turqia njoftoi në fund të shkurtit se do të tërhiqej nga marrëveshja me Bashkimin Evropian, për parandalimin e hyrjes së refugjatëve në BE. Ankaraja i inkurajoi migrantët që të niseshin në drejtim të kufijve tokësorë dhe detarë të Greqisë. Si kundërpërgjigje Athina mbylli kufijtë e vendit dhe pezulloi në mars ligjin për azilin.

Megjithëse ligji për azilin po riaplikohet zyrtarisht që nga prilli, sipas statistikave të Ministrisë së Migracionit dhe Azilit numri i refugjatëve në prill të vitit 2020 është 97 përqind më i ulët se në prill 2019. Në fillim të majit mediat greke raportuan se rojet bregdetare greke po ndjekin një politikë “mbikëqyrjeje agresive” për të parandaluar hyrjen e refugjatëve në vend. Qeveria nuk ka dhënë për këtë asnjë detaj. /Shekulli

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit