Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë dhe me tone të forta ironike e akuzuese nga burgu i Fierit, drejtuar zv.kryeministres dhe drejtueses politike të Qarkut Fier, Belinda Balluku.
Përmes një letre të bërë publike, Veliaj bën me dije se në burgun e Fierit ku e futi ajo, prej një muaji po vuan izolimin në IEVP Fier me një këmbë të thyer dhe me nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale. Ai thotë se kërkesat e tij të vazhdueshme drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit Toni Gogu dhe drejtoreshës së Burgjeve nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Në mesazhin e tij, Veliaj sulmon hapur autoritetin e kreut të qeverisë, duke cituar zërat brenda burgut se Rama “nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se e vetmja që ka fuqi vendimmarrëse është Belinda Balluku. Për këtë arsye, duke e cilësuar veten si “socialisti me duar të lidhura”, ai i kërkon asaj miratimin për t’u operuar në Tiranë, pranë mjekut dhe familjes së tij.
POSTIMI I PLOTË I VELIAJT
Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj
