Bashkia e Tiranës duket se e ka “specialitet” keqpërdorimin e parave të qytetarëve. Aferat korruptive, si ato të inceneratorëve dhe projektit “5D”, janë vetëm maja e ajsbergut. Ndërkohë, tenderat e kësaj bashkie vazhdojnë të jenë të mbushur me “flamuj të kuq”, por kjo nuk ka asnjë ndikim te ata që janë përgjegjës për shpenzimet e buxhetit publik. Shumë nga këto tendera, që shpallen çdo muaj, përfundojnë me miliona e miliona lekë të shpërdoruara pa asnjë shpjegim të qartë.
Një shembull i fundit është tenderi për blerjen e një aparati fotografik profesional. Për këtë pajisje, Bashkia e Tiranës ka vendosur një fond limit prej më shumë se 13 milionë lekësh të vjetra pa TVSH. E çuditshme është se askush nuk e di se çfarë mund të bëjë një aparat fotografik i tillë që justifikon një shpenzim kaq të madh, por e sigurt është se ky aparat do të shërbejë për të rritur më tej imazhin e Bashkisë, pa asnjë lidhje me nevojat reale të qytetarëve. Dhe për të qenë gjithçka më “transparent”, tenderi ka pasur vetëm një ofertë, atë të “QuantX IT Solutions”, që i është përshtatur në mënyrë të përsosur fondit limit.
Me siguri, ky aparat do të ndihmojë që çdo foto, çdo aktivitet festiv dhe çdo deklaratë e bashkisë të jetë “perfekte”, ndërkohë që problemet e përditshme të qytetarëve mbeten në hije. Pasi, siç duket, një fotografi e bukur mund të zgjidhë gjithçka!