Lalit i ikën “tepeleku”, harxhon 700 milionë për pistë vrapi

Lalit i ikën “tepeleku”, harxhon 700 milionë…

Një tjetër tender i institucioneve të Bashkisë Tiranë tërheq vëmendjen. Duket se pas pushimeve të verës, tashmë ka filluar përsëri etja për milionat dhe miliardat e lekëve të shqiptarëve. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një tender mjaft të dyshimtë të Bashkisë Tiranë të organizuar nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, institucion në varësi të Erion Veliajt. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Pistë Vrapi në PMLAT”.

Procedura në fjalë që mban numrin e referencës REF-02400-08-06-2021 ka si fond limit vlerën prej 58,332,778 lekë të reja pa TVSH. Tenderi konsiderohet i dyshimtë pasi në garë kanë marrë pjesë vetëm tre kompani ku secila ka ofruar thuajse vlerë të njëjtë me garuesit e tjerë. Ky fakt në praktikën ndërkombëtare të tenderave ngjall dyshime të forta se kemi të bëjmë me një tender manipulativ ku me shumë mundësi fituesi ka qenë i paracaktuar.

Më konkretisht në tender kanë marrë pjesë firmat “LALA” me vlerë 58,314,884 lekë të reja pa TVSH, “NAIM 2020” me vlerë 58,325,961 lekë të reja pa TVSH dhe “G .A . C” me vlerë 58,132,777 lekë të reja pa TVSH. Shihet qartë se vlerat që tre kompanitë kanë ofruar, janë thuajse të njëjta. Për “kronikë” fitues është shpallur kompania “G .A . C” në pronësi të Klodian Alimadhit dhe Hajrie Cinga. Kjo e fundit është vajza e “bossit” të kompanisë SHANSI INVEST, Shpëtim Cinga, i cilësuar në media si një “ujk” i vjetër i tenderave. Vlen të theksohet se kjo kompani ka marrë një numër të konsiderueshëm tenderash në vlera të larta nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit edhe në të kaluarën. Rast tipik për SPAK, apo jo?

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit