Një shpikje e re nga Kina mund të sjellë shpresë për miliona persona që vuajnë nga rënia e flokëve dhe humbja e tyre në mënyrë të përhershme. Bëhet fjalë për një krehër elektronik të quajtur “Detangle”, i zhvilluar nga studiues të Universitetit Beihang në Kinë, në bashkëpunim me City University of Hong Kong.
Pajisja përdor impulse elektrike dhe një sistem të posaçëm për të ndihmuar në dërgimin e substancave terapeutike drejt folikulave të flokëve, me synimin për të stimuluar rritjen e tyre.
Rezultatet e para janë mjaft premtuese. Në eksperimentet e kryera te minjtë, teknologjia arriti të rikthente rreth 97.85% të mbulimit me qime brenda 28 ditësh. Në të njëjtin studim, trajtimi me minoksidil, një nga preparatet e njohura kundër rënies së flokëve, arriti rreth 70%.
Megjithatë, ka një detaj të rëndësishëm që duhet theksuar: deri më tani, pajisja është testuar vetëm në kafshë dhe jo te njerëzit. Kjo do të thotë se ende nuk ka prova klinike që vërtetojnë se krehëri mund të rikthejë flokët te personat që vuajnë nga tullacëria.
Studiuesit shpresojnë që kjo teknologji të hapë rrugën për trajtime të reja kundër rënies së flokëve, por përpara se të përdoret te njerëzit nevojiten studime dhe prova të mëtejshme.
Pra, për momentin, ‘tullacët’ duhet të presin edhe pak përpara se të shohin nëse kjo shpikje do të bëhet vërtet zgjidhja që kanë pritur prej vitesh!